Protesta në Amerikë pas mbytjes së amerikanit gjatë arrestimit

27 maj 2020 | 08:42

Qindra protestues, shumë prej të cilëve kishin vendosur maska, dolën të martën në rrugë në Minneapolis të Shteteve të Bashkuara për të protestuar kundër vrasjes së një personi të arrestuar nga policia. Disa mbanin pankarta ku shkruhej “Nuk po mund të marr frymë” dhe “Mos më vrit”.

Autoritetet lokale dhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI) i kanë filluar hetimet rreth vdekjes së një afrikano-amerikani pas një incidenti ku një polic shihet duke ia mbajtur gjurin në qafë për disa minuta gjatë arrestimit.

Protestuesit ecën nëpër rrugë dhe shkuan para një stacioni të policisë, ku i dëmtuan dritaret dhe veturat zyrtare. Në anën tjetër, policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-granata për t’i shpërndarë protestuesit.

Ata që folën në protestë e mirëpritën lajmin për shkarkimin e katër zyrtarëve policorë për këtë rast, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.

“Ne pamë se si një polic i bardhë ia shtypte qafën me gju një zezaku për pesë minuta. Ky zyrtar dështoi në kuptimin më themelor human. Floyd nuk do të duhej të vdiste”, tha guvernatori Jacob Frey, i cili u kërkoi falje familjes së viktimës dhe komunitetit të zezakëve në Minneapolis.

Protestat kundër policisë erdhën pas publikimit të videos ku i ndjeri shihet i prangosur dhe i shtrirë në tokë, ndërsa një polic ia mban qafën me gju për disa minuta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 3 500 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje (LV-së) pritet që…