Protesta në Athinë kundër marrëveshjes së emrit me Maqedoninë
Protestuesit janë përleshur me policinë jashtë ndërtesës së Parlamentit të Greqisë, gjatë protestave ku kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra persona, të cilët janë duke e kundërshtuar marrëveshjen e emrit me Maqedoninë.
Dhjetëra protestues kanë hedhur gurë dhe objekte të tjera ndaj policisë, teksa kanë tentuar të hyjnë në objektin e Parlamentit në Athinë.
Policia është kundërpërgjigjur, duke përdorur shkopinjtë e gomës dhe gazin lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit.
Nëntë policë janë lënduar si pasojë e dhunës, kanë njoftuar autoritetet greke.
Qeveritë në Athinë dhe Shkup kanë arritur marrëveshjen për ndryshimin e emrit të shtetit të Maqedonisë, në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Në këmbim të kësaj, Greqia është zotuar se do të tërhiqet nga kundërshtimet e saj që Maqedonia t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Ligjvënësit grekë pritet të nisin debatin më 21 janar dhe votimi për ratifikimin e marrëveshjes pritet të ndodhë në fund të javës.
Më herët gjatë këtij muaji, Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ndryshimet kushtetuese, që mundësojnë ndryshimin e emrit të shtetit.
Marrëveshja për emrin është duke u kundërshtuar në të dyja shtetet. Athina ka argumentuar se përdorimi i terminit “Maqedoni” nënkupton pretendime territoriale mbi provincën veriore greke, që ka të njëjtin emër dhe mbi trashëgimin e lashtë greke. /Rel/