Protesta në Turqi kundër dhunës ndaj grave
Qindra gra kanë protestuar në qytetet turke kundër vrasjes së grave, pas raportimit të dy rasteve në Stamboll.
Qindra persona kanë bërtitur zëshëm kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe partisë së tij me rrënjë islamike, AKP.
“Ju jeni një Qeveri që lejoni vrasjen e grave”, ka thënë organizatorja e marshit, Gunesh Fadime Ahsahin, para turmës.
Gulizar Sezer, nëna e një gruaje të re që është vrarë, ka thënë se duhet t’i jepet fund “masakrimit të vajzave tona”.
Trupi i vajzës së saj është gjetur ne qershor, pasi fillimisht është gjuajtur në det, i mbështjellë në një tepih.
Protesta tjera janë mbajtur në Ankara dhe Izmir, sipas Federatës për të Drejta të Grave.
Protesta të ngjashme janë mbajtur çdo ditë gjatë javës, në qytete të ndryshme, kryesisht nëpër kampuse universitare.
Protestat kanë shpërthyer prej vrasjes së dy vajzave të reja në javën e fundit, brenda 30 minutave.
I dyshuari për vrasje e ka vrarë më pas edhe veten.
I dyshuari dhe dy gratë kanë qenë të moshës 19-vjeçare, kanë thënë zyrtarët.
Erdogan, që paraprakisht ka fajësuar alkoolin dhe rrjetet sociale për vrasje të tilla, është zotuar të mërkurën që të forcojë sistemin gjyqësor dhe të luftohet krimi.
Turqia regjistron me vite raste të vrasjes së grave.
Një grup monitorues ka thënë se vetëm këtë vit janë kryer 299 vrasje të grave, në shtetin me 85 milionë banorë.
Më 2021, Turqia është tërhequr prej një konvente të Këshillit të Evropës për parandalim të dhunës ndaj grave, e njohur si Konventa e Stambollit.
Konventa obligon autoritetet kombëtare që të hetojnë dhe ndëshkojnë dhunuesit e grave.