
Protesta, PD-ja thotë se po ndalohen makinat të hyjnë në Tiranë
Aleanca për Mbrojtjen e Qytetarëve ka ftuar sot në orën 16:30 qytetarët të jenë në protestë si reagim për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Protesta do të mbështetet edhe nga opozita.
Tashmë nëpër rrethe kanë nisur përgatitjet dhe po vijnë në Tiranë protestues për t’iu bashkuar kauzës së kësaj aleance dhe opozitës.
Kryetari i Degës së PD-së në Fier, Luan Baçi, ka denoncuar ndalesa dhe presione që po i bëhet qytetarëve për të mos ardhur në Tiranë, raporton “Oranews”.
“Që në mëngjes kanë nisur të lëvizin shumë protestues me mjetet e tyre. Kemi informacione se mjetet e para që mbërrijnë në Durrës bllokohen. Ka pasur dy tre makina që janë kthyer. Kemi gjetur rrugë tjetër që të hyjmë drejt Tiranës. Ne nuk do të ndalojmë, por policia po bën presion sidomos me ata protestues që janë në hetim dhe kanë procedime penale. Jo më larg nga sot tre nga protestuesve u kanë ardhur thirrje për daljet në gjyq në Tiranë. Kanë nisur dhe telefonatat për kryetarët e grup seksioneve dhe nisin tu bëjnë presione”, ka thënë Baçi.