Protesta të dhunshme edhe në Britani (Foto)
Pas protestave, kryesisht paqësore, të së shtunës në Londër kundër racizmit, në shumë qytete në Britaninë e Madhe janë mbajtur këtë të diel protesta që kanë përfunduar në përplasje të dhunshme me forcat e rendit.
Drejtuesit e policisë janë shprehur se qytetarët kanë të drejtë të ngrenë zërin kundër racizmit, por duhet të gjejnë një tjetër mënyrë për të kërkuar të drejtat e tyre, duke qëndruar larg dhunës.
Protesta janë duke u mbajtur këtë të diel në Bristol, Manchester, Nottingham, Edinburgh dhe Londër, ku “Daily Mail” shkruan se një oficere policie ka mbetur e plagosur në gjendje të rëndë pasi u rrëzua nga kali në tentativë për të shpërndarë protestuesit, ndërsa të lënduar mbetën edhe 13 oficerë të tjerë policie.
Edhe pse autoritetet kanë paralajmëruar se koronavirusi mbetet një kërcënim dhe se masat e distancimit social, duhet të vijojnë të zbatohen, edhe në Britani nuk i kanë rezistuar protestave kundër racizmit, të cilat nisën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vdekjes së George Floyd.