Protesta tek Teatri Kombëtar, PD-ja e LSI-ja anulojnë takimin për reformën zgjedhore
Reforma zgjedhore sërish në ngërç. Opozita nuk ishte e pranishme sot në këshillin politik, por do të jetë në mbështetje të artistëve, të cilët do të dalin sërish në protestë në orën 16:30.
Mbledhja e këtij këshilli është shtyrë me kërkesë të Rudina Hajdarit ndërkohë Damian Gjiknuri i ka bërë thirrje opozitës të rikthehet në tryezë që të përfundohet reforma zgjedhore brenda majit.
“Opozita nuk u paraqit. Kjo është një ngjarje fatkeqe për progrësin e punës së këtij këshilli politik. Pavarësisht mbështetjes së kauzave, është në interes të të gjithë palëve që procesi i reformës zgjedhore të përfundonte brenda majit. I bëj thirrje opozitës të rimarrin vendet e tyre për të vazhduar negociatat e procesin”, ka thënë Gjiknuri, raporton “Oranews”.
E njëjta thirrje është bërë edhe nga deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari.
“Teatri u shemb. PD-ja le ta çojë një premtim deri në fund. Të vijë në tryezë. Ta marrim seriozisht këtë punë e të mos rrimë kot nëpër sheshe. Teatri u shemb, çfarë të bëjmë tani? Është në kontratën që ka bërë me aleancën që të angazhohet për të reformuar sistemin zgjedhor”, ka thënë Hajdari.