Protestat në ballkone, kërkohet përgjegjësi nga Kurti, falje nga Thaçi dhe tërheqje të mocionit nga LDK-ja
Organizatorët e “Replikës” ka bërë me dije se protesta në ballkone do të vazhdojë edhe sonte, duke filluar në orën 20:00 për 10 minuta, për të kërkuar që fokusi të kthehet menjëherë në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve të Kosovës deri në tejkalimin e situatës së krijuar nga koronavirusi
Kërkesat e “Replikës” dhe gjithë atyre që janë duke protestuar në ballkone të shtëpive janë: tërheqja e mocionit të mosbesimit të LDK-së deri në tejkalimin e situatës së krijuar; përgjegjësi publike e Kryeministrit për shkaktimin e krizës në qeveri në kohë pandemie; distancim të partive politike opozitare (PDK, AAK, Nisma dhe AKR) nga lufta e tyre e verbër për pushtet në kohë pandemie, dhe kërkim falje dhe përgjegjësi publike nga presidenti për panikun e krijuar në Kosovë si pasojë e thirrjeve të tij të pa koordinuara mirë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
Njoftimi i plotë “Replikës”:
Vazhdojmë me organizimin e 4-të të protestojmë n’ballkon!
Në Kosovë numri i rasteve me virusin COVID-19 ka arritur në 31. Këto 31 raste janë 31 jetë njerëzish. Rreziku për të pasur më shumë njerëz të infektuar me virus është edhe më i madh në këto dy javët e ardhshme. Skena politike fokusin e vetëm duhet ta këtë mobilizimin për mbrojtjen e qytetarëve nga virusi COVID-19.
Lojërat për momentin e kanë vendin në shtëpi për ta larguar monotoninë e izolimit, e jo në Presidencë, Qeveri dhe Parlament.
Më 22 mars nga ora 20:00 po protestojmë për 10 minuta (5 minuta më shumë) për të kërkuar fokus nga skena politike vetëm në virusin COVID-19 deri në tejkalimin e situatës të shkaktuar nga pandemia dhe për të kërkuar plotësim të kërkesave tona të cilat janë të listuara më poshtë.
Replikë, si nismëtare e këtij organizimi distancohet nga çdo organizim tjetër që organizohet nga partitë politike.
Kërkesat:
- Tërheqjen e mocionit të mos-besimit të LDK-së deri në tejkalimin e situatës së krijuar
- Përgjegjësi publike e Kryeministrit për shkaktimin e krizës në qeveri në kohë pandemie
- Distancim të partive politike opozitare (PDK, AAK, Nisma dhe AKR) nga lufta e tyre e verbër për pushtet në kohë pandemie
- Kërkim falje dhe përgjegjësi publike nga Presidenti për panikun e krijuar në Kosovë si pasojë e thirrjeve të tij të pa koordinuara mirë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
Arsyet:
- LDK nuk mundet që në një kohë krize ta prish qeverinë për një person ose interesa partiake, duke u treguar plotësisht jo-racionale dhe duke i rrezikuar dhe futur ne panik qytetarët për të ardhmen e vendit në një kohë kur fokusi i vetëm dhe kryesor do të duhej të ishte mbrojtja nga virusi COVID-19. Çështjet e tjera mund të presin deri në tejkalim të kësaj situate. E rëndësishme dhe parësore duhet të jetë mirëqenia dhe shëndeti i qytetarëve. Kjo situatë e krijuar është duke ndikuar që qytetarët gjatë kohës që po përballen me mbrojtjen nga virusi, t’iu zvogëlohet besimi në institucione dhe të rritet paniku.
- Përkundër faktit që të gjithë e dimë se Agim Veliu është person që e vendos interesin partiak para interesit të përgjithshëm, Kryeministri nuk është dashur ta shkarkoj në këtë situatë të shkaktuar nga COVID-19, duke e ditur që shkakton krizë në qeveri dhe duke e njohur partnerin e koalicionit. Në fund të fundit, Veliu është pranuar nga Kurti si ministër edhe përkundër faktit se të gjithë i dim kapacitetet e tij. Shkarkimi i tij ka mundur të ndodhë pas tejkalimit të pandemisë duke mos shkaktuar krizë në qeveri gjatë kësaj situate.
- Partitë opozitare nuk munden me shfrytëzua këtë situatë të krijuar nga partitë qeveritare për të bërë fushatë elektorale, përkundrazi një opozitë e mirëfilltë kërkon që ta largoj vendin nga kriza në një kohë krize. Partitë opozitare nga fillimi i shkurtit në vend që të kërkojnë seanca për llogaridhënie të qeverisë për mbrojtje nga COVID-19, kanë vazhduar duke thirrur seanca për të bërë fushata elektorale dhe duke mbajtur fjalime të kota dhe jo-racionale.
- Presidenti i Kosovës nuk mund të dal në kohë krize në media dhe të propozoj gjendje të jashtëzakonshme pa u koordinuar mirë me Kryeministrin. Përmes asaj seance për media, qytetarët janë vendosur në panik duke mos e ditur as saktësisht çka do të ndodhë. Tash, presidenti deklaron se nuk kemi nevojë për gjendje të jashtëzakonshme. Kjo është përgjegjësi publike e Presidentit dhe duhet të kërkoj falje që i ka vendosur qytetarët në panik në situatë krize përmes lojërave të tij politike.