Protestat në Francë, 19 të lënduar dhe 40 të arrestuar
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka sulmuar ashpër demonstruesit që u përplasën me policinë në Paris, gjatë protestave më të fundit të nxitura prej rritjes së çmimit të naftës.
“Turpi bie mbi ata që sulmuan oficerët”, ka shkruar ai në “Twitter”. “Në Republikën franceze nuk ka vend për dhunë”.
Kaosi mbërtheu mbrëmjen e së shtunës “Champs-Elysees”, me policinë që u detyrua të përdorte gazin lotsjellës dhe hedhëset e ujit për të shpërndarë protestuesit.
Në Paris ishin dislokuar 5.000 policë, të cilët kishin ngritur barriera metalike përreth “Champs-Elysees”, për të penguar protestuesit të arrinin në ndërtesat kryesore si zyra e presidentit apo Asambleja Kombëtare.
Megjithatë, disa protestues u përpoqën të çanin kordonin e policisë, duke ndezur zjarre, shkatërruar sinjalistikën rrugore, duke shkulur barrikadat dhe gurët nga rrugët, për t’iua hedhur ato policëve, nën thirrjet e theksuara kundër Macronit.
Zyrtarët thonë se 19 persona mbetën të lënduar nga përplasjet deri pasdite vonë, përfshi këtu katër oficerë, ndërkohë që 40 protestues janë arrestuar.