Protestat në Serbi paraqesin fillesat e ndryshimit të madh

25 dhjetor 2024 | 23:44

Faton B. Mehmetaj

Që kur ka ardhur Aleksandar Vuçiq në pushtet, protesta dhe pakënaqësi kishte vazhdimisht në Serbi, por këtë vit (2024) protestat kundër Qeverisë së Vuçiqit ishin masive dhe me kërkesa të qarta politike. Një protestë e madhe ishte organizuar në maj të vitit 2024, pas një aksidenti në një shkollë fillore në Beograd, ku nga një sulem që e kishte kryer një nxënës i kësaj shkolle kishin vdekur tetë nxënës dhe roja e shkollës. Pak kohë pas kësaj ngjarje tragjike në një shkollë fillore të Beogradit, kishte ndodhur një sulm tjetër terrorist, ku një person i moshës 21 vjeçare kishte qëlluar me armë automatike banorët e tri fshatrave, në jug të Beogradit, duke vrarë 8 persona dhe duke i plagosur 14 të tjerë.
Në këtë rast ishte organizuar një protestë e madhe, për të pasur siguri më të madhe për nxënësit dhe qytetarët e Serbisë.
Tjetër protestë e madhe në Serbi ishte mbajtur në qytetin perëndimor serb të Loznicës për ta kundërshtuar projektin e hapjes së një miniere litiumi nga kompania Rio Tinto, me pretekst se ajo do të dëmtojë mjedisin.
Protestuesit valëvitnin flamuj serbë dhe mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Nuk do të gërmoni” dhe “Larg duart nga Jadari”, ndërsa nga altoparlantët dëgjoheshin këngë patriotike dhe muzikë popullore. Edhe kjo protestë kishte mesazhe të qarta, por u tejkalua pa pasoja të mëdha. Por nga kjo kohë pa kënaqësitë ndaj pushtetit të Vuçiqit secilën ditë bëheshin më të mëdha, për shkak se pushteti i Vuçiqit i shkelte për ditë e më shumë liritë demokratike të qytetarëve serb. Ç’është edhe më keq, Vuçiq akuzohet nga populli dhe protestuesit për lidhje dhe bashkëpunim të fortë me Rusinë dhe Kinën edhe pse 35% e investimeve në Serbi vijnë nga Shtetet e Evropës.
Pos krizës së brendshme, Serbia është e përfshirë edhe nga një krizë politike, zgjedhja e së cilës ka kosto të lartë, por edhe mund ta shkatërron Serbinë definitivisht. Bëhet fjalë për zgjedhjen e statusit të Vojvodinës, Sanxhakut dhe Kosovës Lindore, territore këto që kurrë nuk i kanë takuar Serbisë por se kanë mbetur nënë Serbi, si popuj të shtypur dhe pa asnjë të drejt. Faktikisht shumë më shumë ka shqiptar në Serbi, sesa serb në Kosovë. Shqiptarët e Serbisë janë autokton dhe 40% e territorit të Serbisë së sotme, është territor shqiptar. Kurse serbët e Kosovës janë kolonizues, dhe kanë ardhur në Kosovë si kolon.
Që nga viti 1999 kur forcat okupuese serbe u dëbuan nga Kosova, Serbia që nga ajo periudhë e gjerë më sot në Kosovë ka shkaktuar kriza të njëpasnjëshme. Dhe bota e qytetëruar është interesuar për mirëvajtjen e serbëve që kanë jetuar në Kosovë, dhe në as një çast të vetëm nuk janë interesuar për shqiptarët që jetojnë në Serbi, dhe madje, nuk ka pasur asnjë reagim nga BE dhe çarqet tjera të politikës ndërkombëtare.
Protestat e fundit janë tregues i qartë se Serbia është përfshirë nga një varg krizash të mëdha që kërkojnë zgjidhje. Njëra nga hallkat zingjirore të këtyre krizave që e ka përfshirë Serbinë është edhe sistemi mafioz i instaluar në qeverinë e Vuçiqit, klanet e të cilit udhëheqin sot më Serbinë. Vuçiq pos që është përkrahës i kreut të mafias serbe Millan Radojqiqit, është edhe përkrahës i ekstremit të djathtë dhe njerëzit e qeverisë së tij i kontrollojnë dhe monitorojnë pothuajse të gjitha mediat në Serbi. Ai po ashtu u akuzua edhe për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e kaluara. Duhet cekur se Serbia është goditur dhe do të goditet edhe nga sanksionet e ndryshme të shteteve të Evropës dhe SHBA-ve, fillimisht me kompaninë shtetërore të industrisë së naftës e pastaj vijnë sanksionet tjera më rend edhe të 24 firmave tjera, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit 2025. Siç dihet, Serbia varet nga gazi rus, i cili shpërndahet më tej nga Industria e Naftës e Serbisë (NIS), që njëkohësisht është në pronësi të korporatës ruse “Gazprom Neft”. Kuptohet mbyllja e aktiviteteve diplomatike, financiare dhe ekonomike të Serbisë me Rusinë reflekton drejtpërdrejtë në politikën dhe ekonominë e brendshme të Serbisë. Prandaj, edhe në protestat e fundit, të organizuara në Serbi kundër qeverisë së Vuçiqit morën pjesë mbi 100 mijë qytetarë, janë sinjali më i qartë për Vuçiqin dhe qeverinë e tij. Tatëpjeta që ka marrë ai me qeverinë e tij nuk do të ndalet deri në shpërbërje.
Edhe përkundër faktit se bandat e Millan Radojqiqit, policia serbe, klanet e caktuara dhe grupacionet e ndryshme me ndikim në qeverinë e Vuçiqit u munduan ti shpërndajnë protestat, duke e përdorur edhe forcën, por siç duket kjo protestë nuk do të ndalet deri në rrëzimin e Vuqiqit. Edhe ashtu Vuçiqi që kur ka ardhur në krye të qeverisë vazhdimisht ka pasur kriza qeveritare, protesta dhe pakënaqësi. Ato ishin të drejtuara edhe kundër korrupsionit, nepotizmit dhe skandaleve të njëpasnjëshme. Protestuesit në kërkesat e tyre kanë kërkuar më shumë hapësirë në televizionin publik, kanë kërkuar të zbulohen dhe të dalin para drejtësisë urdhëruesit dhe kryesit e sulmeve ndaj qytetarëve, gazetarëve, aktivistëve dhe politikanëve, si dhe të publikohet “plani për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
Protestuesit në protestat e fundit të cilat u organizuan nga studentët, sindikatat e fermerëve, shtresat e intelektualëve, shoqëria civile, nxënësit e shkollave të mesme dhe shtresat tjera me ndikim në shoqërinë serbe, kërkuan përgjegjësi nga qeveria dhe dorëheqjen e saj pas shembjes së çatisë në stacionin hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, ku kanë humbur jetën 15 njerëz. Pos kësaj përgjegjësie protestuesit dhanë edhe mesazhe tjera duke konstatuar se Rusia e ka humbur Serbinë. Kjo ndarje ka ndodhur për shkak se populli serb e ka kuptuar, se Rusia kurrë gjatë gjithë historisë nuk i ka sjellë asgjë të mirë popullit serb, pos luftëra, gjakderdhje e varfëri.
Në të gjitha rastet rusët e përdorën Serbinë për ta shtrirë ndikimin e vetë në Ballkan dhe më gjërë, duke i gënjyer ata për një Serbi të madhe. Prandaj protestat pos që u organizuan për shembjën e një çatije në stacionin hekurudhor, ata protestuan edhe kundër pushtetit aktual për shkak të përafrimit me Rusinë dhe Kinën. Po shihet fare qartë se energjia e protestueseve për të bërë protesta deri në largimin e kësaj qeverie, është e madhe.
Studentët pos që e fajësuan Vuçiqin dhe Qeverinë e tij për tragjedinë që ndodhi në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ata brohoriten: “Duart e pushtetit janë të përlyera me gjak”. Kjo akuzë tregon qartë se Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë tejkaluar çdo normë njerëzore kundër popullit të vet. Por është tregues i qartë se opozita, studentët dhe shoqëria serbe në përgjithësi është e pandalshme në përpjekjet e veta për ta rrëzuar qeverinë e Vuçiqit dhe për ta avancuar mendimin shoqëror rreth udhëheqjes në Serbi. Protestat janë përhapë edhe në Nish, Smederevë dhe Kragujevc, por ka mundësi që këto protesta të përhapen edhe në Vojvodinë, Sanxhak dhe Kosovën Lindore.
Protestat atje, janë thirrje për t’i dhënë fund regjimit autoritar në Serbi. Edhe më herët Vuçiqi ishte ndër njerëzit e besueshëm të kastës së Sllobodan Millosheviqit që mbante postin e shefit të informacionit. Kjo kastë bëri gjakderdhje të mëdha në republikat e ish-Jugosllavisë, por bëri dëme të paparapara edhe në Serbi. Këtë e vërteton edhe fakti që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara këtë vit, miratoi Rezolutën për Gjenocid në Srebrenicë, ku i bënë përgjegjëse forcat serbe, në këtë rajon të Bosnje-Hercegovinës për vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë në korrik të vitit 1995. Lidhur më këtë rast, Vuçiq në pamundësi të që ta evitojë miratimin e kësaj rezolute në OKB, u mbështjell me flamur serb dhe u pa duke ikur kokë ulur nga zyrat e OKB-së. Duke i parë këto padrejtësi ndaj të tjerëve dhe ndaj popullit të vet, studentët u hodhën në Protesta duke sfiduar pushtetin e Presidentit Vuçiq. Ky vetëdijesim i popullatës serbe në ketë nivel, paraqet fillet e demokracisë së mirëfilltë që i ka munguar Serbisë gjerë më tani. Pa demokraci të brendshme nuk ka zhvillim të mirëfilltë të as një shteti. Edhe kësaj radhe ku qeveria serbe e ka përjetuar krizën më të thellë të saj në vend, Aleksandër Vuçiq, ju drejtua qytetarëve të Serbisë e më gjerë, duke thënë se në këto rrethana të tensionuara në Serbi, Qeveria e Kosovës po tenton ti eliminoj serbët e Kosovës, duke e hequr nga lista zgjedhore, “Listën Serbe”, që të mos merr pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Në fakt, ky është edhe një manipulim tjetër i Vuçiqit, për të dalë nga kriza e brendshme, duke e zhvendosur krizën në Kosovë. Gati në të gjitha rastet krizat e brendshme në Serbi i kanë tejkaluar duke krijuar kriza në Kosovë. Më kujtohet një rast kur një grup serbësh dhe njerëzish të shërbimit rus tentuan të bëjnë puç kundër Gjukanoviqit dhe anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, po atë ditë u sulmua Kuvendi i Kosovës dhe protestat kishin përfshirë gjithë Kosovën. Ndosha është edhe koicidencë, por në të gjitha rastet, sa herë që është trazuar Serbia nikohësisht ka pasur trazira edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Këtë presedan, inteligjenca jonë duhet eliminuar me kalimin e kohës sepse është duke e dëmtuar bërthamën shqiptare. Aleksandar Vuçiq ka kërkuar zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por është përballur me akuzat për shkeljen e lirive demokratike dhe ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Po ashtu cytin dhe organizojnë grupe ilegale paramilitare për ta destabilizuar Kosovën. Para gjithë këtij presioni Vuçiq edhe më tutje mundohet të mbetet pinjoll besnik i klanit të Millosheviqit. Për ta saktësuar këtë mendim, në ceremoninë e përurimit të një autostrade të sapo ndërtuar në Serbinë qendrore, ai tha se nuk do t’u nënshtrohet kërkesave të opozitës për një qeveri kalimtare, dhe i akuzoi kundërshtarët e tij se po shfrytëzojnë studentët për të marrë pushtetin pa zgjedhje. Studentët dhe protestat e tyre kundër regjimit të pushtetit të Vuçiqit mund ta përcaktojnë të ardhmen e vendit drejt BE-së dhe relaksimin e raporteve me vendet fqinjë. Protestat e fundit në Serbi, tregojnë qartë se rruga drejt integrimit në BE nuk është e lehtë. Në anën tjetër pakënaqësitë politike në Serbi, të mbështetura nga klanet e Vuçiqit kanë rritur nacionalizmin serb, i cili ushqehet prej kohësh nga politikat shtetërore agresive që kanë për synim destabilizimin e Kosovës dhe fqinjëve tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lulzim Nika në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është pjesë…