Protestë kundër taksës, banorët e Kukësit te tuneli të shtunën
Banorët e Kukësit do të duhet të paguajnë më shumë se të tjerët tarifën e vendosur në Rrugën e Kombit.
Qytetarët e Kukësit do të organizojnë të shtunën në mesditë në tunelin e Kalimashit një protestë kundër kësaj pagese.
Në një ndër qarqet më të varfra në shkallë vendi, shuma prej 5 eurosh që duhet të paguajnë sa herë shkojnë në Tiranë, Lezhë, Shkodër apo qoftë për të kaluar tunelin e Thirrës është tepër e shtrenjtë.
“Do të marrim pjesë në protestë, pasi kjo gjë është shumë e padrejtë prej nesh”, shprehet një qytetar.
“Kjo është tepër e rëndë për zonën tonë. Ne e paguajmë njëherë taksën e rrugës te nafta”, thotë një tjetër qytetar.
Mbi 6 mijë familje trajtohen me ndihmë ekonomike në bashkinë Kukës, vlera maksimale e së cilës është 4 500 lekë, ndërsa 4 700 persona janë të papunë.