Protestë masive në Ukrainë, kundërshtohen zgjedhjet në zonat e pushtuara
Mijëra njerëz kanë protestuar të dielën në Kiev të Ukrainës kundër planit të presidentit Volodymyr Zelensky për të mbajtur zgjedhje lokale në pjesën lindore të vendit, e cila është nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Protestuesit kanë thënë se plani i presidentit për zgjedhje sipas kushteve të rebelëve është kapitullim para Rusisë.
Më 1 tetor, Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca e nënshkruan një marrëveshje me separatistët për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbikëqyren nga OSBE-ja.
Presidenti ukrainas e ka cilësuar këtë marrëveshje si hap të nevojshëm para organizimit të samitit me liderët e Rusisë, Francës dhe Gjermanisë, i cili do të mbahet me qëllim të arritjes së marrëveshjes së paqes.
Konflikti mes qeverisë ukrainase dhe separatistëve të përkrahur nga Rusia ka nisur para pesë vjetësh dhe gjatë përleshjeve të armatosura mes tyre janë vrarë më shumë se 13 mijë njerëz.
Presidenti Zelensky është zotuar se zgjedhjet lokale në zonat e kontrolluara nga rebelët nuk do të mbahen deri në momentin kur formacionet e armatosura të largohen, shkruan “Free Europe”. /Express/