Protestë më 1 maj, Jasharaj – Nagavcit: E dimë se ke urdhër nga Kryeministri që të mos na takosh
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj thotë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka urdhër nga kryeministri Albin Kurti për të mos u takuar me sindikatat.
Jasharaj tha në një komunikatë për media se Nagavci po vazhdon “me heshtjen” dhe se “i ik ende takimeve”.
“Ti para pak ditësh duke iu përgjigjur medieve deklarove se ke gatishmëri të takohesh me SBASHK-un e me të tjerët në shërbim të arsimit dhe ne të nisëm prapë një kërkesë më 22 prill duke menduar se ju dhe Qeveria keni ndryshuar qasje ndaj sindikatave dhe dialogut, por përgjigja nga Kabineti yt mungoi. Më 25 prill ta dërguam edhe një shkresë dhe të informuam për protestën e 1 majit dhe t’i dërguam edhe të gjitha kërkesat legjitime të anëtarësisë, të cilat edhe mediat e nderuar i publikuan. Ti Ministre vazhdove me qasjen e njëjtë dhe me heshtjen dhe i ik ende takimeve me ne, por tregoje të vërteten para medieve. Ne e dimë se ke urdhër nga Kryeministri, dhe jo vetëm ti, që të mos takoheni me sindikatat dhe duhet të merrni leje nga ai e ndokush tjetër, se kur e me këtë të takoheni, por të lutemi mos deklaro para medieve se ke gatishmëri të takohesh me SBASHK e me të tjerët sepse kjo nuk është e vërtetë”, tha Jasharaj.
Kreu i SBASHK-ut ka paralajmëruar se më 1 maj do të mbahet protestë për shkak që, siç thonë, Qeveria s’i ka mbajtur premtimet për kushtet e mësimdhënësve. Nga SBASHK-u kanë paralajmëruar edhe grevë nga 1 shtatori, siç ndodhi në vitin 2022.