Protestë në Mal të Zi, me flamujt e BE-së dhe SHBA-së kërkohen zgjedhje të parakohshme

18 nëntor 2022 | 09:05

Më shumë se 10,000 njerëz protestuan para parlamentit malazez më 17 nëntor për të kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe tërheqjen e ligjit për kompetencat presidenciale.

Protesta u organizua nga lëvizja Ima Nas (Ne jemi të shumtët), e cila ka mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Presidentit Milo Gjukanoviç dhe aleatëve të saj.

Njerëzit nga të gjitha pjesët e Malit të Zi morën pjesë në tubim, duke mbajtur pankarta ku shkruhej, “Ne jemi këtu për Malin e Zi, për BE-në” dhe “Ne duam zgjedhje”. Ata gjithashtu valëvitën flamujt kombëtarë të Malit të Zi, si dhe flamujt e BE-së dhe SHBA-së.

Nuk ka pasur asnjë incident në ngjarjen, e cila ka ndodhur në një prani të madhe të policisë, shkruan REL.

Folësit që iu drejtuan turmës bënë akuza kundër partive që kanë shumicën në parlament, të udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare e Uras, të cilat kanë refuzuar të shpallin zgjedhje të parakohshme për dy muajt e fundit dhe të cilat ende nuk kanë formuar një qeveri të re.

Nikolla Janoviç i Partisë Demokratike të Socialistëve përsëriti kërkesën e opozitës për të mbajtur zgjedhje të reja.

“Lërini qytetarët të vendosin në vendin e tyre dhe Mali i Zi të jetë përsëri i lirë pas këtyre zgjedhjeve”, tha Janoviç. “Poshtërimi i këtij vendi duhet të ndalet.”

Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Vendi prej 620,000 banorësh shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, por rreth një e treta e popullsisë së tij identifikohet si serbë dhe disa besojnë se Mali i Zi nuk duhet të jetë një vend më vete.

Nebojsha Mrvaljeviq nga Forumi i Qytetarëve të Lirë dhe organizator i protestës tha se peticionin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare deri më tani e kanë nënshkruar 30 mijë qytetarë.

Në mesin e politikanëve që morën pjesë në tubim ishin zyrtarë të opozitës DPS, Partisë Socialdemokrate, Social Demokratëve dhe Partisë Liberale.

Me ndryshimin e ligjit për kompetencat presidenciale, shumica aktuale parlamentare po përpiqet të transferojë një pjesë të kompetencave të Gjukanoviqit për emërimin e kandidatëve në Parlament.

Opozita e sheh thirrjen për zgjedhje të parakohshme parlamentare si një rrugëdalje nga kriza politike në të cilën ndodhet Mali i Zi pas rënies së dy qeverive që nga fillimi i vitit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të rinjtë shqiptar vazhdojnë të marrin rrugën e mërgimit në…