Protestojnë banorët e Gërdocit në lidhje me punësimet në burgun e sigurisë së lartë
Banorët e fshatit Gërdoc të Podujevës kanë protestuar pranë Burgut të Sigurisë së Lartë në këtë vend, pasi sipas tyre, ka pasur padrejtësi në punësimin në këtë institucion.
Banorët e këtij fshati kanë thënë se kur është hapur burgu u ishte premtuar se në kushte të barabarta me kandidatët tjerë, do të kenë përparësi ata që vijnë nga ky fshat. Sipas tyre gjashtë kandidatë nga ky fshat që konkurruan në konkursin e fundit të shpallur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për 120 gardianë, janë përballur me padrejtësi.
Njëri nga protestuesit i cili kishte aplikuar për njërin nga vendet e punës, Leutrim Bajrami, ka thënë se nuk është pranuar pavarësisht se ka pasur sukses në të gjitha fazat e testimit, përderisa, sipas tij, ka pasur aplikues që janë pranuar me më pak pikë.
Protestuesit pas rreth gjysmë ore proteste të qetë janë shpërndarë dhe kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta tjera.