Protestojnë disa nxënës në Graçanicë, kjo është arsyeja
Rreth 50 nxënës kanë dalë në protestë në Graçanicë për t’iu ofruar mbështetje të dyshuarve të sulmit të djalit të politikanit serb, Nenad Rashiq.
Ata mbanin në dorë pankarta të tilla si “Ju nuk jeni vetëm” dhe “Drejtësi për vëllezërit”.
Gjykata Themelore në Graçanicë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për shtatë të rinjtë që dyshohen se rrahën me mjete të forta djalin e Rashiqit, Nikollën, në Llapnasellë, shkruan “Radio Kim”.
Tubimi është i ndaluar sipas masave kundër pandemisë dhe për protestë duhet regjistruar kërkesa para 48 orësh në Policinë e Kosovës. Por, edhe pse nuk janë përmbushur këto dy kritere, nxënësit kanë dalë në rrugë.
Avokati i njërit prej të rinjve, Predrag Miljkoviq, i ka thënë “Radio Kim”-it se ata e kanë dorëzuar ankesën në Gjykatën e Apelit dje dhe se presin përgjigje javën tjetër.