Protestojnë pronarët e kiosqeve në Prishtinë (Foto)
Pronarët e kiosqeve të Prishtinës për të dytën herë brenda javës i kanë zënë derën kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti.
Ata edhe një herë kanë protestuar para objektit komunal kundër kritereve të vëna nga komuna për kiosqet, duke konsideruar se ato janë diskriminuese dhe të papërballueshme për ta.
Përfaqësuesi i protestuesve, Sadudin Ahmeti, ka kërkuar nga Kuvendi Komunal në Prishtinë që t’ia mundësojë përmes votës që kiosqet të qëndrojnë në pronësi të tyre.
Ai ka thënë se qarkullimi mujor i tyre është vetëm 2000-3000 mijë euro dhe se është e pamundur të arrijnë qarkullimin siç e ka kërkuar komuna 5 milionë euro, në tre vitet e fundit.
Ahmeti ka thënë me anë të këtij vendimi të komunës rreth 70 punëtorë do të mbesin pa punë. Ai ka paralajmëruar se protestat e tilla do të jenë të vazhdueshme.
Ndërsa, protestuesi tjetër, Arian Mustafa, ka thënë se kiosqet e prezantuara nga organet komunale nuk janë reale.
Protestuesit kanë akuzuar Komunën e Prishtinës se përmes këtij vendimi po i shkojnë përshtat bizneseve të mëdha dhe se ka hapësirë për manipulime.