Protestojnë punëtorët e Kardiologjisë, kërkojnë shkarkimin e menaxhmentit

29 shtator 2023 | 10:39

Punëtorët shëndetësor të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK kanë protestuar të premten për të shprehur pakënaqësi në lidhje me menaxhmentin e kësaj klinike, duke kërkuar shkarkimin e drejtorit Lulzim Kamberi dhe shefit të Njësisë Koronare, Artan Ahmeti.

Aurora Bakalli, kardiologe, ka thënë se peticioni i tyre prej 18 kardiologëve nënshkrues nuk është marrë parasysh, prandaj edhe janë detyruar që të dalin në protestë.

“Pas peticionit të 18 kardiologëve të QKUK-së të datës 11 korrik dhe takimit me drejtorin e Klinikës të ndërmjetësuar nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së me datë 4 gusht, asnjë nga kërkesat tona nuk janë përfillur, madje ka patur presion të vazhdueshëm ndaj nënshkruesve të caktuar të peticionit. Duke mos parë rrugë tjetër për të zgjidhur pakënaqësitë në Klinikën e Kardiologjisë, jemi të shtyer që të fillojmë me hapa sindikal, në këtë rast me protestë një-orëshe”, ka thënë Bakalli, duke i renditur kërkesat e kardiologëve.

“Kërkesat tona janë si në vijim: Të shkarkohet drejtori i klinikës, dr. Lulzim Kamberi për shkak të përkrahjes së pa rezervë të shkaktarit të dhunës në Klinikë, pa-aftësisë menaxheriale, diskriminimit në baza gjinore, profesionale dhe edukative ndaj punëtorëve të caktuar, nxitjes së konflikteve ndërkolegiale, rolit tejet përçarës në kolektiv, kurdisjes së konkursit për shefa të njësive, ikjes nga përgjegjësia profesionale, mungesës së transparencës, paaftësisë për pajisje me aparaturë të domosdoshme dhe furnizim me material bazik të Klinikës, të shkarkohet shefi i Njësisë Koronare, dr. Artan Ahmeti, i cili para se të merrte vendimin për këtë pozitë ka shkaktuar dhunë fizike ndaj kolegut”, ka thënë Bakalli.

Protestuesit para objektit  të Klinikës së Kardiokirurgjisë kanë vendosur disa pankarta ku shkruanin: “Stop diskriminimit profesional, edukativ e gjinor”, “Të shkarkohet menaxhmentit që mbron dhunuesit”, “Stop diskriminimin e pacientëve nga lista e pritjes”, “Stop dhunës fizike dhe dhunës psikike” dhe “Stop keqmenaxhimit të Klinikes”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Topi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe…