Protestojnë serbët në Mitrovicë të Veriut, kërkojnë të kthehen në punë në komunën paralele
Afër 300 qytetarë serbë u tubuan para një objekti që ishte përdorur nga komuna paralele serbe në Mitrovicë të Veriut më 2 shtator, duke thënë se po përpiqen që të kthehen në punë.
Personat që protestuan të hënën ishin punonjës të administratës të komunës paralele serbe në këtë komunë.
Tubimi vjen disa ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës, përfshirë komunën paralele të Mitrovicës, duke thënë se këto institucione po punonin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, shkruan “Radio Evropa e Lirë”.
Aksioni i 30 gushtit, i kryer nga institucionet e Kosovës u cilësua si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe po ashtu u kundërshtua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve lokalë në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, dhe nga zyrtarët në Serbi.
Shefi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Petrit Fejza, tha për Radion Evropa e Lirë se mbyllën këtë objekt më 30 gusht, pas dyshimeve se në të kishte dokumente false.
Punëtorët, që thanë se tubimi i tyre i së hënës nuk është protestë, deklaruan se në këtë objekt për vite të tëra kanë ofruar shërbime për qytetarët.
Por, Fejza tha se ata nuk do të lejohen të hyjnë brenda objektit derisa autoritetet të kryejnë hetime.