Protestuesit djegin materialin zgjedhor në Shkodër
Mbështetësit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, dy parti opozitare në Shqipëri, ia kanë vënë flakën një zyre të Komisionit Zonal për Administrimin e Zgjedhjeve e cila ishte vendosur brenda Shkollës së Mesme “Shejnaze Juka” të Shkodrës.
E gjithë baza materiale e sjellë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përgatitjen e zgjedhjeve të 30 qershorit u dogj, raporton “Zëri i Amerikës”.
Në mesin e protestuesve ishte edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahija, i cili ka thënë se “ky është vetëm fillimi i revoltës popullore, ndaj atyre që po u imponojnë shqiptarëve votime pa zgjedhje”.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka thënë se kjo është një “përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD-së për të djegur një shkollë në Shkodër”. Ministri ka ftuar qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky “turp i pamasë dhe të izolojnë bijtë e dhunës”.
“Asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve” ka thënë ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë me dije se po vazhdon punën për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe paralajmëroi se çdo cenim i këtij procesi përbën vepër penale të ndëshkueshme.
Këtij incidenti i parapriu ai në Bashkinë e Tropojës, kur një grup mbështetësish të opozitës bashkë me zyrtarë vendorë dhe deputetin e zonës u futën me forcë në mjediset ku është vendosur Komisioni Zonal i Admistrimit të Zgjedhjeve Vendore të 30 qershorit në Bashkinë e Tropojës.
Zgjedhjet lokale në Shqipëri ishin paraparë të mbahet më 30 qershor. Mirëpo, presidenti Ilir Meta ka shfuqizuar dekretin e datës së zgjedhjeve, duke thënë se kështu po shmangë një përshkallëzim të situatës.
Kryeministri Edi Rama, ka thënë se zgjedhjet do të mbahen në datën e paraparë, më 30 qershor.
Shqipëria, që nga janari i vitit 2018 është përfshirë nga protestat e opozitës që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.