Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeprokurorit Lumezi
Në qendër të kryeqytetit është mbajtur të mërkurën protesta në të cilën është kërkuar dorëheqja e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, pas pretendimeve se ka ndërhyrë në hetimet e zhvilluara nga prokurori Elez Blakaj në rastin e listave të veteranëve të UÇK-së.
Krenare Loxha nga Këshilli i protestës me moton “Shkarkim prokurorit – veting gjyqësorit” ka thënë para protestuesve se kjo protestë ka për qëllim për ta mbrojtur qytetarin.
“Është protestë kundër atyre të cilët që 20 vjet po na cenojnë të drejtën për zhvillim ekonomik”, ka thënë Loxha.
Gjatë marshimit, protestuesit po brohorasin: “Lumez ik!”, “Pishpirik je vetë”, “Ramush ik!”.
Kërkesa e protestuesve ishte dorëheqja e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe fillimi i një procesi të vetingut në drejtësi.
Kjo protestë është mbajtur pak ditë pasi prokurori special i dorëhequr, Elez Blakaj, akuzoi kryeprokurorin Lumezi për ndërhyrje në hetimet në rastin e listave të veteranëve të UÇK-së.