Protestuesit në Haiti kërkojnë dorëheqjen e presidentit
Protestuesit opozitarë në Haiti kanë djegur goma dhe kanë hedhur gurë, duke i bërë thirrje presidentit të këtij shteti, Jovenel Moise që të japë dorëheqje.
Të paktën katër persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në protestat që kanë hyrë në ditën e katërt në kryeqytetin, Port-au-Prince si dhe qytete tjera.
Shumë banorë të Haitit akuzojnë Moise dhe zyrtarë tjerë për korrupsion, andaj mijëra persona kanë përfshirë rrugët e këtij shteti.
Pakënaqësitë kanë detyruar kryetarët e disa qyteteve që të anulojnë organizimin e karnevaleve, që ishte planifikuar të mbahen në fillim të muajit mars.
Moise, ka qenë në pushtet nga viti 2017.
Së fundmi ai i ka bërë thirrje opozitës që të zhvillojnë negociata.
Grupet opozitare në anën tjetër kanë thirrur këto protesta, pasi një raport i një gjykate ka ngritur supozime se zyrtarë dhe ish-ministra kanë keqpërdorur kreditë për zhvillim që i janë dhënë këtij shteti nga Venezuela pas vitit 2008.
Në raport është pretenduar se edhe presidenti Moise ka qenë i përfshirë në këto parregullsi.
Haiti është shteti më i varfër në Karaibe dhe 60 për qind e popullsisë jeton me më pak se 2 dollarë në ditë.