Provat e manipuluara nga autoritetet serbe, avokati Qerkini: Dëshmia e serbe përfaqëson shkon në avantazh për mbrojtjen e Thaçit e të tjerëve
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini, ka deklaruar se dëshmia e një dëshmitareje serbe në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të tjerëve, përfaqëson një avantazh të rëndësishëm për mbrojtjen.
Sipas Qerkinit, dëshmitarja ka pohuar se disa prej deklaratave të saj, që gjenden në shkresat e lëndës, janë të manipuluara dhe të sajuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.
“Dëshmia e djeshme ka konfirmuar se provat mund të jenë të manipuluara, një pretendim që mbrojtja e kishte ngritur më herët. Deklaratat e dëshmitares nuk janë të sajat, por janë të sajuara nga autoritetet serbe,” ka thënë Qerkini.
Ai ka shtuar se kjo dëshmi i jep më shumë peshë mbrojtjes, duke bërë që gjyqtarët të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm në vlerësimin e kredibilitetit të provave.
”Pretendimet e mbrojtjes nuk janë më spekulime, por janë vërtetuar përmes një dëshmitari të Prokurorisë, duke e vendosur mbrojtjen në një pozicion më të favorshëm,” ka thënë Qerkini në një intervistë për Tv Dukagjini.
Sipas tij, nëse provat e prokurorisë vërtetohen si të pabesueshme, atëherë edhe teoria e rastit të prokurorisë mund të rrëzohet lehtësisht.
Ndryshe, Stamena Jeliq ishte dëshmitarja e 94-të në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkëshorti i saj dyshohet të jetë rrëmbyer nga disa persona në kohën e luftës dhe që nga atëherë, asgjë nuk dihet për fatin e tij. Në seancën e Gjykatës Speciale, ajo është përballur me disa deklarata të dhëna në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.
Dëshmitarja ka treguar se si ia kanë ndryshuar deklaratat në MUP-in serb, duke shtuar fjalë që ajo nuk i ka thënë kurrë.
A e shihni nënshkrimin tuaj në fund të faqes?”, e pyeti avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli.
“E shoh por kjo nuk është deklarata ime. Unë e di shumë mirë çka kam thënë, këtë nuk e kam thënë”, u përgjigj dëshmitarja Jeliq.
“A duhet të mendoj se në momentin që keni nënshkruar këtë deklaratë, kjo fjali nuk gjendej?”, pyeti avokatja.
“Saktë nuk kam përmendur fare asnjë fotografi dhe as gjoja që vjehrra më ka thënë mua. Këta emra që janë këtu, nuk është deklarata ime”, tha dëshmitarja më tutje.