Provimi i maturës shtetërore, caktohen datat e mbajtjes nëpër regjione
Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është hedhur shorti për renditjen e mbajtjes së provimit të maturës shtetërore nëpër regjione.
Sipas këtij shorti maturantët pjesës së parë të provimit do t’i nënshtrohen nga data 12 deri më 15 qershor ndërsa pjesa e dytë do të mbahet nga data 19 deri më 22 qershor.
Provimi i maturës shtetërore do të mbahet në katër lëndë, tri lëndë obligative dhe një lëndë me zgjedhje.
Sipas shortit, më 13 qershor testit do t’i nënshtrohen maturantët e Ferizajt dhe Gjilanit, me 12 qershor maturantët e Prishtinës, më 14 qershor Prizreni si dhe më 15 qershor Peja dhe Mitrovica.
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se presin rezultate të mira derisa përmendi se do të kenë bashkëpunim edhe me Bankën Botërore.
“Sot është dita e shortit për renditjen e regjionit për testin e maturës pas marrjes së informacionit të bëjmë përgatitjet e testit të maturës që do të zhvillohet sipas procedurave. Ne shpresojmë që edhe këtë vit të kemi mbarëvajtje të mirë, pasi viti kaluar tregoi se kemi pasë një formë shumë më të mirë dhe kemi arritur të kemi rezultate të mira. Kemi marrë masa, pas kësaj konsideroj që do të hapet një debat për testin e maturës. Banka Botërore ka shpreh gatishmëri që të na përkrahë dhe ne jemi të gatshëm për këtë bashkëpunim”, ka thënë Bytyqi.