PS dhe LSI, kjo është diferencë e votave në 46 kutitë e rinumruara nga gjithsej 114 kuti votimi në Berat
Pas vendimit të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) që të rihapen kutitë në qarkun e Beratit dhe të numërohen sërish votat, procesi nisi rreth orës 14:00 të ditës së sotme dhe u mbyll në mbrëmje, por do të vijojë edhe ditën e nesërme që prej orës 09:00 të mëngjesit.
Nga 114 kuti votimi që duhet të hapen në total, vetëm 46 janë rinumëruar deri tani dhe rezulton se diferenca mes PS dhe LSI është 74 vota, ndërsa më parë ishte 77 vota.
Në qendrën e votimit 33 dhe 32 u kontestuan dy fletë votimi, një prej të cilave është konsideruar e vlefshme për subjektin PS, ndërsa një tjetër është konsideruar e vlefshme në favor të LSI-së. Në qendrën e votimit 3458/1 janë kontestuar katër fletë votimi, 2 prej të cilave janë konsideruar të pavlefshme, ndërsa 2 të vlefshme për subjektin PS.
Në tavolinën nr 3 në qendrën e votimit 3345 rezultuan 3 fletë votimi, të cilat KZAZ i ka vlerësuar të vlefshme për PS, por KAS vendosi që njëra të shpallet e pavlefshme. Në tavolinën 8 në qendrën e votimit 3340 janë konstatuar dy fletë votimi të vlefshme, një për PS dhe një për PD. Pas vlerësimit, KAS i konsideron të vlefshme për të dyja subjektet.
Kurse në tavolinën numër 7, u konstatuan dy fletë votimi që u cilësuan të vlefshme për PS. Kujtojmë se me shumicë votash, KAS vendosi rinumërimin dhe rivlerësimin e 114 kutive të votimit të qarkut Berat.