PS-ja më 30 qershor ridëshmoi se e ka mazhorancën e përkrahjes së sovranit

02 korrik 2019 | 12:33

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë normale pa pjesëmarrjen e opozitës por, sipas tij, nuk ka pasur rrugëdalje tjetër pasi që opozita ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama si kusht që të marrë pjesë në zgjedhje.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se opozita me opstrukcionin e institucioneve dhe djegien e mandateve ka dashur ta çonte vendin në krizë totale dhe zgjedhje të parakohshme.

“Mjeti i fundit që i mbet ishte bojkoti i zgjedhjeve, më pastaj edhe loja me dekretimin dhe çdekretimin e datës së zgjedhjeve, ku presidenti Meta u tregua si argat i opozitës por, pa sukses”, është shprehur Maliqi, i cili ka qenë këshilltar i kryeministrit Rama në mandatin e kaluar.

Ai ka deklaruar se nuk ka qenë problem çështja e datës së zgjedhjeve sa këmbëngulja e opozitës që Rama të dorëhiqet.

“PD-ja dhe LSI-ja nuk patën lënë vend për konsensus, sepse edhe për datën e korrigjuar që Meta e la më 13 tetor nuk e pranuan, sërish kërkonin të ikë Rama. Ky nuk e pranoi, por u organizuan zgjedhjet në afatin ligjor edhe pa pjesëmarrjen e opozitës, thjesht për ta treguar se PS-ja dhe personalisht Rama ende i kanë votat e mazhorancës”, ka thënë ai.

Maliqi ka vlerësuar se nuk ka pasur pjesëmarrje të vogël të qytetarëve në zgjedhjet e 30 qershorit por, sipas tij, ka pasur pjesëmarrje normale për rrethanat e bojkotit nga opozita.

“21.6 për qind duhet të lexohet si 700 mijë vota, që është një lloj konstante në zgjedhjet e viteve 2013, 2015 dhe 2017. PS-ja çdoherë ka marrë këtë përqindje me plus minus 2-3 për qind, çka është statistikisht në suazat e normales. Nëse nuk do të kishte bojkot të opozitës, pjesëmarrja e përgjithshme do të ishte rreth 50 për qind nga votuesit e regjistruar, që janë mbi 3.4 milionë. Nëse edhe opozita do të merrte pjesë në zgjedhje, pjesëmarrja e përgjithshme e elektoratit aktiv do të ishte mbi 70 për qind”, ka theksuar Maliqi, duke shtuar se PS-ja të dielën ka ridëshmuar se e ka mazhorancën e përkrahjes së sovranit.

“PS-ja dhe Rama kanë ridëshmuar se e kanë mazhorancën e përkrahjes së sovranit, pra se mbështeten nga elektorati më i madh në vend që legjitimon plotësisht pushtetin qendror. Ndërkaq që në nivelin lokal ka ndodhur një çrregullim serioz me fajin e vet opozitës sepse PS-ja e ka marrë pushtetin absolut edhe në bashkitë ku nuk e ka mazhorancën faktike”, ka deklaruar Maliqi.

Ai ka thënë se PD-ja dhe LSI-ja duhet ta reflektojnë gjendjen e tyre të brendshme për t’u konsoliduar si parti.

“Nëse nuk e bëjnë këtë mund të paraqiten edhe subjekte dhe liderë të ri politikë që do t’i artikulojnë më mirë kërkesat e elektoratit të djathtë, por edhe të majtë, sepse as PS-ja nuk është më parti tipike e majtë, por një amalgamë sipas shijes së Ramës”, është shprehur Maliqi.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, si e komentoni mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri, pjesë e të cilave nuk ishin partitë kryesore opozitare, PD-ja dhe LSI-ja?
Maliqi: Zgjedhjet nuk kanë qenë normale pa pjesëmarrjen e opozitës, por nuk ka pasur rrugëdalje tjetër pasi që opozita kërkonte dorëheqjen e kryeministrit Rama si kusht që të marrë pjesë në zgjedhje. Këto kanë qenë zgjedhje për pushtetin lokal, kurse opozita me opstrukcionin e institucioneve dhe djegien e mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dëshironte ta çonte vendin në krizë totale dhe në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Mjeti i fundit që i mbet ishte bojkoti i zgjedhjeve, më pastaj edhe loja me dekretimin dhe çdekretimin e datës së zgjedhjeve ku presidenti Meta u tregua si argat i opozitës por, pa sukses.

“Epoka e re”: Është dashur të mbahen këto zgjedhje në këtë mënyrë apo konsideroni se palët do të duhej të arrinin konsensus për një datë tjetër, e jo për 30 qershorin dhe 13 tetorin?
Maliqi: Nuk ishte problem çështja e datës sa këmbëngulja e opozitës që Rama të dorëhiqet. PD-ja dhe LSI-ja nuk patën lënë vend për konsensus, sepse edhe për datën e korrigjuar që Meta e la më 13 tetor nuk e pranuan, sërish kërkonin të ikë Rama. Ky nuk e pranoi, por u organizuan zgjedhjet në afatin ligjor edhe pa pjesëmarrjen e opozitës, thjesht për ta treguar se PS-ja dhe personalisht Rama ende i kanë votat e mazhorancës.

“Epoka e re”: Sidoqoftë, zgjedhjet janë mbajtur, por ka pasur një dalje të vogël të qytetarëve në votime, 21 për qind. Pse ndodhi një gjë e tillë?
Maliqi: Nuk është absolutisht dalje e vogël, por normale për rrethanat e bojkotit nga opozita. 21.6 për qind duhet të lexohet si 700 mijë vota, që është një lloj konstante në zgjedhjet e viteve 2013, 2015 dhe 2017. PS-ja çdoherë ka marrë këtë përqindje me plus minus 2-3 për qind, çka është statistikisht në suazat e normales. Nëse nuk do të kishte bojkot të opozitës, pjesëmarrja e përgjithshme do të ishte rreth 50 për qind nga votuesit e regjistruar që janë mbi 3.4 milionë. Por në këtë shifër, sikurse edhe në Kosovë, regjistri i mbanë me të drejtë vote të gjithë shtetasit shqiptarë, edhe ata që prej kohësh jetojnë në Greqi, Itali dhe vende të tjera dhe faktikisht, edhe pse e kanë të drejtën e votës, nuk e shfrytëzojnë këtë. Nëse do të mënjanonim këtë masë të madhe të shtetasve nga listat që zakonisht nuk votojnë, duke i llogaritur vetëm rreth 1.8 ose 1.9 milionë si votues aktivë dhe rezidentë, na del një numër tjetër e pjesëmarrjes që në këtë rast do të ishte rreth 45 për qind, që është numër i mjaftueshëm edhe për faktin se ligji shqiptar nuk ka përcaktuar limit të poshtëm të legjitimitetit të zgjedhjeve. Nëse edhe opozita do të merrte pjesë në zgjedhje, pjesëmarrja e përgjithshme e elektoratit aktiv do të ishte mbi 70 për qind.

“Epoka e re”: Ka humbur apo ka fituar PS-ja e kryeministrit Edi Rama në këto zgjedhje, sepse me mosdaljen e partive kryesore opozitare këto zgjedhje nuk marrin atë kreditin e merituar?
Maliqi: PS-ja dhe Rama e kanë ridëshmuar se e kanë mazhorancën e përkrahjes së sovranit, pra se mbështeten nga elektorati më i madh në vend, gjë që legjitimon plotësisht pushtetin qendror. Ndërkaq që në nivelin lokal ka ndodhur një çrregullim serioz me fajin e vet opozitës sepse PS-ja e ka marrë pushtetin absolut edhe në bashkitë ku nuk e ka mazhorancën faktike.

“Epoka e re”: Çfarë do të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve në Shqipëri, ku pushteti lokal absolut është i PS-së?
Maliqi: Rama ka treguar ndjeshmëri për këtë situatë në komunat që janë tradicionalisht të kontrolluara nga PD-ja ose LSI-ja, duke thënë se asnjë administrator lokal në këto bashki nuk do ta humbë punën. Edhe për këtë problem mund të gjendet zgjidhja nëse fillojnë bisedimet e opozitës me PS-në, që eventualisht vitin tjetër të mbahen zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme dhe ato vendore. Nëse ka vullnet të mirë, kjo mund të ndodhë. Nuk ka qenë dëshira e PS-së dhe e Ramës që zgjedhjet të duken si farsë, por është përgjegjësia e opozitës që bëri veprime të padëgjuara në sistemet demokratike, si djegien e mandateve dhe bojkoti i pamenduar mirë i zgjedhjeve që opozitën e la pa asnjë pushtet. PD-ja dhe LSI-ja duhet ta reflektojnë gjendjen e tyre të brendshme për t’u konsoliduar si parti. Nëse nuk e bëjnë këtë mund të paraqiten edhe subjekte dhe liderë të ri politikë që do t’i artikulojnë më mirë kërkesat e elektoratit të djathtë, por edhe të majtë, sepse as PS-ja nuk është më parti tipike e majtë, por një amalgamë sipas shijes së Ramës.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vlerësuar se Deklarata…