PS-ja rezolutë për sulmin në Kosovë: Serbia të dorëzojë kriminelët
Partia Socialiste ka dorëzuar në Kuvend një rezolutë që dënon sulmin me armë në veri të Kosovës, ku u sulmua policia dhe për pasojë u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
“Kërkesë për mocion dhe miratim Projekt-Rezolutë “Për dënimin e sulmit të armatosur terrorist në Veri të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e përpjekjeve për garantimin e sigurisë dhe paqes në vend e në rajon”, thuhet në kërkesën drejtuar Kuvendit.
Në këtë rezolutë kërkohet që Serbia të hapë një hetim transparent për organizuesit e sulmit në Kosovë dhe të dorëzojë kriminelët. Po ashtu, PS-ja kërkon që KFOR-i të shtojë trupat në veri.
“Partnerët të ushtrojnë ndikim për të ballafaquar Serbinë me rolin që ka patur në sulm. SHBA dhe BE të ngrenë alarmin për të parandaluar rrezikun që i kanoset paqes dhe sigurisë së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në pr/rezolutë, raporton Top Channel.