PSD-ja: Aspirata për liri asnjëherë nuk është projekt i përfunduar
Partia Socialdemokrate (PSD) ua ka uruar të gjithë qytetarëve 13-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kjo parti ka theksuar se shpallja e pavarësisë mbetet momenti ku bashkohet përpjekja dhe sakrifica e njerëzve që nuk janë më, me kujtesën kolektive të shoqërisë nën okupimin e shtetit serb dhe nevojës për transformime shoqërore, ekonomike dhe kulturore.
“Aspirata për liri nuk është asnjëherë projekt i përfunduar. Shpallja e pavarësisë është kusht i domosdoshëm, sikur që lufta për çlirim parapriu këtë rrugëtim. Mirëpo koha nuk mjaftohet me kaq, ajo insiston në aspirata të reja. Demokratizimi i vendit duhet të jetë synimi i tanishëm. Shtresat e ndryshme shoqërore duhet të organizohen dhe këmbëngulin jo vetëm në ushtrimin e të drejtave të tyre, por ne kultivimin e vlerave për solidaritet, barazi dhe pluralizëm. Urime të gjithëve!”, është thënë në urimin e PSD-së.