PSD-ja: Bartës i dialogut të jetë Kuvendi, jo Thaçi dhe ekipi negociues i Qeverisë
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, bashkë me nënkryetarin Qëndron Kastrati dhe kryetarin e grupit parlamentar të kësaj partie, Dardan Sejdiun, kanë pritur të hënën në takim ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.
Në këtë takim është diskutuar për gjendjen politike në Republikën e Kosovës, të fokusuar mbi procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
“Duke falënderuar shtetin italian për kontributin e tij në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate theksuan domosdoshmërinë për konsensus rreth dialogut. Me këtë rast u rishpreh qëndrimi i PSD-së, se bartës i procesit të dialogut me Serbinë duhet të jetë Kuvendi i Republikës së Kosovës, e jo presidenti Thaçi dhe ekipi negociues i Qeverisë së Kosovës të cilët nuk kanë legjitimitet për të negociuar”, është theksuar në komunikatën për medie të PSD-së.
Drejtuesit e Partisë Socialdemokrate kanë shprehur nevojën për hartimin e Platformës Shtetërore të Dialogut dhe miratimin e saj përmes shumicës së kualifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si parakusht për themelimin e ekipit gjithëpërfshirës negociues.
/Epoka e re/