PSD-ja bën homazhe tek varri i Astrit Deharit
Partia Socialdemokrate ka përkujtuar Astritin Deharin, duke bërë homazhe të varri i tij në pesë vjetorin e vdekjes.
Përmes një komunikate për medie, kjo parti ka vlerësuar se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka instrumentalizuar vdekjen e këtij aktivisti.
“Sot përkujtuam Astritin. Do ta kujtojmë përherë si shok dhe si emër për drejtësinë e munguar. VV e sheh drejtësinë tamam ashtu siç e ka trajtuar prej fillimit rastin e Astritit. Një fjalë i përmbledhë këto dy gjëra bashkë: instrumentalizim. Për të instrumentalizuar duhet futur gjërat në kontroll. Tashmë ka nisur Projektligji që ia mundëson Partisë t’i përzgjedhë anëtarët e Këshillit Prokurorial. Drejtësi e vërtetë dhe universale është ajo që tejkalon dialektikën e zëvendësimit të një regjimi me një tjetër. Drejtësia duket si buzëqeshja e një loje, dhe jo si mjeti në dorë të pushtetit. Drejtësia nuk gjendet brenda dyshës mjet-qëllim. Është vetëreferenciale”, është thënë në komunikatën e PSD-së.