PSD-ja: Dështimi i anëtarësimit të Kosovës në Interpol, dëshmi e dështimit të dialogut
Partia Socialdemokrate (PSD) ka shprehur zhgënjimin e saj për mosmbështetjen e mjaftueshme të kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në Interpol.
Kjo parti ka vlerësuar se bllokimi i Kosovës për anëtarësim në Interpol i shërben fuqizimit të krimit dhe përkeqëson sigurinë rajonale e globale.
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Atë nuk mund ta ndalin ‘fitoret e Pirros’ të Qeverisë së Serbisë. Fushata agresive e Qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol dëshmon dështimin e dialogut të deritanishëm midis Kosovës dhe Serbisë. Ngjarja e sotme duhet të shërbejë si leksion për pushtetin, që të bashkërendohet me opozitën, për ta rikonfiguruar sa më parë dialogun me Serbinë. Dialogu i drejtuar nga presidenti Thaçi po e bën Serbinë çdo ditë e më shumë agresive kundrejt Kosovës. Nga ana tjetër, Partia Socialdemokrate kërkon përgjegjësi dhe llogaridhënie politike e profesionale, nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës, lidhur me dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol”, është thënë në reagimin e PSD-së.
/Epoka e re/