PSD-ja do të angazhohet për themelimin e gjykatave të punës
Partia Socialdemokrate (PSD) ka paraqitur disa aktivitete dhe nisma të saj që kanë për qëllim për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.
Këto aktivitete dhe nisma në një konferencë për medie i kanë prezantuar deputetët e kësaj partie në Kuvend të Kosovës, Besa Baftiu dhe Faton Topalli.
Gjatë kësaj konference është potencuar se sistemi gjyqësor aktual vuan nga mosefiçienca dhe joprofesionalizmi, dhe se janë me mijëra raste që presin të mbyllura në sirtarë.
Më tutje është thënë se Departamenti për Marrëdhëniet e Punës ka për objekt trajtimi vetëm konfliktet që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës, me qëllim që të rritet efikasitetin, pra edhe realizuar të drejtat.
Baftiu e Topalli kanë theksuar se punëtorët që janë më se shumti të shfrytëzuar janë më pak të informuar mbi të drejtat e tyre që mbrohen me ligj.
Në këtë drejtim, është thënë se një fushatë sensibilizmi, sidomos në ata sektorë ku mungon organizimi sindikal është e nevojshme.
Deputeti Topalli ka bërë me dije për fillimin e një angazhimi të ri, themelimin e gjykatave të punës.