PSD-ja hyn në ZRrE, përplasen verbalisht me kryesuesin e bordit

14 shkurt 2022 | 11:42

Aktivistë të PSD-së, bashkë me kryetarin e këtij subjekti politiki kanë shkuar në Zyrat e Rregullatorit për Energji. Aty, kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, ka dalë të flasë me ta duke i lutur që të mos i pengojnë.

Nol Nushi nga PSD-ja ka kërkuar që ZRrE-ja ta publikojë vendimin, ndërsa Dardan Molliqaj e ka pyetur se sa është subvencionimi nga qeveria për konsumin deri në 800 kWh rrymë. Molliqaj ka thënë se s’do të largohen nga aty dhe se do ta pengojnë ZRrE-në, pasi siç ka thënë po bën punë të keqe.

Nushi: Ku është vendimi?

Fejzullahu: Tash publikohet

Molliqaj: Sa është subvencionimi i qeverisë deri në 800 kWh?

Fejzullahu: Do ta bëjmë publik vendimin.

Molliqaj: Ti nëpër emisione po merr pjesë.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, e ka akuzuar kryesuesin e bordit të ZRrE-së se po manipulon në llogari të KEDS-it.

“Fakti që s’ke përgjigje, je tu i shërbyer KEDS-it”, ka thënë ai. “Është marre”, ka thënë Molliqaj.

Ndërsa Fejzullahu ka kërkuar  nga aktivistët e PSD-së ta lirojnë hapësirën.

“Nëse keni mundësi me na e liruar hapësirën”, ka thënë ai.

“Jo s’ka mundësi”.

“Pse po del në emisione, a po del me e mbrojtë vendimin? Pse s’po jep informatë? Sa është subvencionimi?”, ka thënë kryetari i PSD-së.

Ai i ka kërkuar Fejzullahut që të japë dorëheqje.

“Marre duhet me të ardhur. Jep dorëheqje dhe në rregull jemi. Je në siklet. Po të vjen marre”, ka thënë Molliqaj.

“Në siklet? Asnjë fije. Prej teje a?”, është përgjigjur Fejzullahu, duke i thënë se mund ta apelojë vendimin.

“Ne paguajmë pa e ditë sa na jep shteti dhe sa paguajmë ne. Po e presim vendimin”, ka thënë Molliqaj.

Edhe kërkesa e Fejzullahut që përfaqësuesit e PSD-së të mos pengojnë, nuk gjeti mirëkuptim.

“Nëse bën mos me na pengu”, ka thënë Fejzullahu.

“Ju jeni duke bë punë të keqe dhe ne duhet me ju pengu”, i ka thënë Molliqaj atij.

Kryetari i PSD-së ka thënë se nuk do ta lënë ZRrE-në të punojë pa e publikuar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur sot…