PSD-ja ia rikujton LV-së arrestimet e aktivistëve që kundërshtonin marrëveshjet me Serbinë
Sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate (PSD), Nol Nushi, ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosje i janë dashur nëntë vjet që ta nënshkruajë një marrëveshje të njëjtë me Serbinë për energjinë.
Nushi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se për këto nëntë vjet ka pasur shumë arrestime e lëndime të aktivistëve të LV-së për ta kundërshtuar një marrëveshje të tillë.
“Pra, nga viti 2013 qenkan dashur 9 vjet kohe, qindra arrestime e lëndime të aktivisteve, qindra tubime e takime, mijëra fjalime populliste, qindra premtime elektorale, që në fund të nënshkruhet e njëjta marrëveshje me Serbinë. Kjo nuk është thjesht hipokrizi, as thjeshte humbje kohe. Kjo është mungesë guximi politik e mungesë njerëzilleku”, ka shkruar Nushi.
Të martën në Bruksel është arritur marrëveshja për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përmbajtja e marrëveshjes i jep autorizim kompanisë “Elektrosever”që të shpërndajë faturat e energjisë elektrike te serbët në Veriun e Kosovës. Kjo kompani do të licencohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE).