PSD-ja ia shtron tepihun e kuq në QKUK ministrit Latifi
Partia Socialdemokrate (PSD) e drejtuar nga Daradan Molliqaj ka zhvilluar sot një aktivitet në oborrin e QKUK-së, ku ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi për gjendjen në shëndetësi.
“Hajde në QKUK, ministër! QKUK-ja është vendi ku secili qytetar e ka vërejtur a ka pas ndonjë ndryshim nga qeveria e shpresës e 14 shkurtit. Të gjithë e dimë, në spitale asgjë s’ka ndërruar. Sepse ndryshimi nuk është propagandë as poezi. Ndryshimi përnjëmend është shëndetësi më cilësore, shëndet më i mirë i qytetarëve. I kemi pas dy figura kryesore të pushtetit në shëndetësi. Rifat Latifi dhe Arben Vitia. Njëri nuk po zbret prej aeroplanit, tjetri drejtor në Spital Privat”, është thënë në mesazhin e aktivistëve të PSD-së.
Sipas tyre, gjendja në QKUK sot është veç ma e rëndë: mungesë barnash thuajse menaxhimi i barnave është fizike kuantike, aparaturat s’punojnë ose u hyn uji, pacientët në lista të gjata të pritjeve.
“Ministri i Shëndetësisë lobon për Liberalizim të Vizave. E dimë që shëndetësia ka shumë probleme. As nuk presim ato të adresohen menjëherë. Problemi është që puna as nuk ka nisur. Ministri nuk po shihet e angazhimi i tij s’po vërehet. Ne kemi sjellë këtë tepih të kuq për të. Ndoshta kështu do ta bindim që t’ia fillojë punës, mbase nxitet nga luksi e glamuri. Sepse deri më tani kemi parë një ministër i cili është totalisht jashtë realitetit”, kanë theksuar aktivistët e PSD-së.