PSD-ja inicion interpelancë ndaj kryeministrit për pagën minimale
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri, në emër të Grupit Parlamentar të kësaj partie sot ka dorëzuar kërkesën për interpelancë ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai ka bërë me dije se objekti i interpelancës është paga minimale në Republikën e Kosovës.
“Paga minimale është pragu nën të cilën nuk mund të paguhet askush. Niveli i saj është ndër treguesit kryesorë për mirëqenien e një vendi. Aty ku paga minimale është e ulët, niveli i shfrytëzimit të punëtorëve është i lartë. PSD-ja angazhohet për një pagë minimale që i garanton secilit përmbushjen e nevojave bazike për jetë. Niveli aktual prej 130 (për të punësuarit deri në 35 vjeç), respektivisht 170 eurosh (për të tjerët), është larg prej arritjes së këtij synimi”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e vet në “Facebook”.
PSD-ja u ka bërë thirrje deputetëve që të japin kontributin e tyre rreth kësaj çështje.
/Epoka e re/