
PSD-ja kërkon lirimin e aktivistëve, ofron dëshmi për dhunën dhe armët e përdorura nga policia
Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur konferencë për medie, duke kërkuar lirimin e kryetarit Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistëve të kësaj partie.
Ata janë arrestuar gjatë protestës së PSD-së në kundërshtim të vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Anëtari i Kryesisë së PSD-së, Dren Kukaj, ka prezantuar disa fotografi ku sipas tij dëshmohet dhuna e përdorur nga Policia e Kosovës gjatë protestës.
Sipas tij, në arrestimin e aktivistëve përveç policëve është përfshirë edhe një person i sigurimit privat të hotelit ku ka qëndruar Trendafilova.
Kukaj ka thënë se nuk janë përdorur armë nga aktivistët, por nga Policia e Kosovës.
Ai ka kërkuar nga prokuroria dhe policia që të merren për bazë faktet dhe të zbardhet e vërteta.
“Fillimisht asnjë zyrtar apo civil, përjashtim gazetarëve dhe aktivistëve nuk është i lënduar. Gjashtë aktivistë janë arrestuar. Sot janë në burg për arsyen e vetme që kanë protestuar. Pra, ne dje vetëm kemi shprehur kundërshtimin tonë ndaj një gjykatë që e cilësojmë të padrejtë për arsyeje që tashmë janë të njohura”, ka thënë Kukaj.




