PSD-ja kërkon përfshirjen e shoqërisë civile në dialogun me Serbinë
Kryetari dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti dhe nënkryetari i kësaj partie, Dukagjin Gorani kanë takuar të premten në Prishtinë, publicistin Veton Surroi e Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv të Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS) në Kosovë.
Gjatë këtij takimi është konstatuar domosdoshmëria që Kuvendi i Republikës të ketë rol qendror në procesin e dialogut me Serbinë.
Duke e shpjeguar projektrezolutën e paraqitur nga PSD-Nisma-Alternativa, përfaqësuesit e PSD-së kanë vlerësuar nevojën e përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Rezoluta dhe ligji për dialogun mundësojnë përfaqësim gjithëpërfshirës, vendimmarrje konsensuale dhe platformë shtetërore, në përputhje me interesin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Partia Socialdemokrate e ka vlerësuar iniciativën e Surroit dhe Shllakut, për të kontribuar pozitivisht në procesin e dialogut me Serbinë, me mbështetje në ekspertizë strategjike, duke mundësuar resurse nga një spektër i gjerë lokal dhe ndërkombëtar, drejt arritjes së marrëveshjes eventuale për njohje reciproke me Republikën e Kosovës.
/Epoka e re/