PSD-ja kërkon rritjen e numrit të inspektorëve të punës

07 qershor 2019 | 15:08

Në Partinë Socialdemokrate është mbajtur konferencë për medie, ku folën deputetja dhe anëtarja e kryesisë Besa Baftiu, dhe anëtari i Kryesisë, Adonis Tahiri, njëherësh edhe Drejtor i Inspeksconit në Komunën e Prishtinës.

Në fjalën e saj, deputetja Baftiu përmendi të gjeturat shqetësuese në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën, ku veçoi rritjen e numrit të aksidenteve me fatalitet në vendin e punës nga 14 në vitin 2017 në 21 përgjatë vitit 2018. Ajo foli edhe mbi të gjeturat në raportin e punës 12 mujore të Inspektoriatit të Punës për vitin 2018.

“Aty figuron se brenda gjithë kësaj periudhe, domethënë, për një vit janë bërë vetëm 9056 inspektime, nga të cilat janë shqiptuar vetëm 270 gjoba në total. Kjo, derisa momentalisht në Kosovë numërojmë 165.268 biznese aktive, nga të cilat 9963 biznese janë krijuar vetëm brenda 2018-së. Nëse gjitha inspektimet e bëra gjatë vitit 2018 janë bërë në biznese të ndryshme, i bie që mbi 94% të bizneseve nuk janë inspektuar asnjëherë. E kur dihet që një numër i tyre janë inspektime të përsëritura, del që përqindja e bizneseve të painspektuara është edhe më e madhe. Për ta konkretizuar edhe më tej këtë gjendje të rëndë, theksojmë që në vitin 2018 më i madh është numri i bizneseve të krijuara sesa i inspektimeve të bëra – pra janë 9963 biznese të reja në vitin 2018 dhe vetëm 9056 inspektime brenda këtij viti nga Inspektoriati i Punës”, u shpreh Baftiu, duke nënvizuar se gjatë kësaj periudhe 22 punëtorë kanë humbur jetën e 125 të tjerë janë lënduar në vendin e punës.

Më tej, u theksua edhe përqindja e lartë e fëmijëve në marrëdhënie të punës, derisa inspektorët nuk e kanë raportuar asnjë rast të tillë përgjatë vitit 2018, duke u potencuar se informaliteti në punë është sfidë e madhe e Inspektoriatit të Punës, por në një rast të këtillë, kur viktimë e tij janë të miturit, tejkalimi i kësaj situate bëhet shumë më urgjent.

Tutje, Adonis Tahiri foli sesi Inspektoriati i Punës është organi me përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e shëndetit të punëtorëve dhe luftimin e padrejtësive që iu bëhen atyre.

“Partia Socialdemokrate përmes deputetëve do të angazhohet në kuvend në dizajnimin e infrastrukturës ligjore për funksionimin dhe kompetencat e inspektoriatit të punës. Mirëpo, infrastruktura ligjore nuk ka asnjë vlerë përderisa mekanizmi themelor për zbatimin e tij nuk e kryen punën e vet, prandaj dhe duhet të rritet numri i inspektorëve, duhet të bëhen edhe trajnime për inspektorët aktualë ne zbatimin e dispozitave ligjore lidhur me shëndetin dhe parandalimin e rrezikut në vendin e punës”, ka thënë pos tjerash Tahiri.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në bashkëpunim me…