PSD-ja kritikon Kurtin për takimin me Listën Serbe

30 janar 2020 | 17:29

Partia Socialdemokrate e ka kritikuar mandatarin për formimin e qeverisë, Albin Kurti, i cili ka paralajmëruar se do të takohet me Listën Serbe.

Përmes një komunikatë për medie, PSD-ja ia ka kujtuar Kurtit kohën kur Listën Serbe e kishte quajtur listë çetnike. “Sot mësuam se ai po takohet me Listën Serbe. Ky subjekt për të dikur ishte “listë çetnike”. Kushdo që më herët e ka bërë këtë është quajtur “kolaboracionist”.Kurti është hipokrit, por ai nuk është një hipokrit i zakonshëm. Gjykimi përmes standardeve të dyfishta është thelbi i profilit të tij ideologjik. Kur për veprimin që e bën vetë, për të tjerët rezervon epitete si “tradhëtar” apo “kolaboracionist”, kjo tregon se po mendon diçka të veçantë për veten tënde”, është thënë në komunikatën e PSD-së.

Kjo parti liderin e LV-së e ka kritikuar edhe për veprime të tjera. “Në diskutimet për formimin e Qeverisë gjithë vëmendjen dhe kohën e kishte për ndarjen e pushtetit. Asgjë nuk dëgjuam për modelet e ndryshme të zhvillimit ani pse koalicioni qeverisës pritet të përbëhet nga parti që thonë se i përkasin spektrit të ndryshëm ideologjik. Qëllimi e ka edhe mënyrën e vet. Kur diskutimi bëhet pazar për interesin vetanak, ai zhvendoset në Prapashticë, tek vendi i kryeministrit të kaluar, dikur i “argat i Serbisë”. E kur pengesat bëhen më serioze, negociatave për pazar iu ndihmon presioni. I kujt tjetër do të jetë ky presion veçse i ambasadorëve, emisarëve të ‘imperializmit’”, ka vlerësuar PSD-ja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Dritës e ka zhvilluar edhe miqësoren e dytë…