PSD-ja kundër mbylljes së çerdheve, vendos dhjetëra biberon para Qeverisë
Partia Socialdemokrate (PSD), përmes një aksioni simbolik, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për mbylljen e çerdheve.
Aktivistet e kësaj partie, para ndërtesës të Qeverisë, kanë vendosur dhjetëra biberon të fëmijëve.
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka deklaruar se ky aksion simbolik është pikërisht për lënien anash të fëmijëve dhe shtypjen e grave në shoqëri.
“Këta biberon sot këtu që i kemi hedhur përçojnë mesazhin se fëmijët nëpër kopshte janë lënë anash nga dora e shtetit dhe prapë janë lënë në kujdesej të nënave dhe grave dhe barra po rëndon prapë te nënat. Kur janë lënë hapur xhamitë, tubimet, gastronomia dhe gjithçka tjetër”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, qëllimi kryesor i qeverisë Kurti është që të mbyllen gratë në shtëpi, të bien rastet, dhe pastaj të vazhdohet me tubimet dhe fushatë zgjedhore.
“Qeveria Kurti është jo emancipuese por betonuese e rolit të grave në shoqëri, roli i të cilave nënën e mban në shtëpi deri sa rastet të bien dhe të vazhdoj me fushatën elektorale dhe tubimet”, ka deklaruar ajo.