PSD-ja mbështet kërkesën që lulëkuqja të bëhet simbol i gjenocidit në Kosovë
Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbështetur kërkesën e qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” që lulëkuqja të jetë simboli i gjenocidit të kryer gjatë luftës në Kosovë.
Lajmin e ka bërë me dije kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, i cili ka thënë se Përkujtimi i krimeve në Kosovë është hapi i parë i kërkesës për drejtësi për të gjitha viktimat.
“Përkujtimi i krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë është hapi i parë i kërkesës për drejtësi për të gjitha viktimat. Ky përkujtim merr forma të ndryshme, në simbole e përkujtimore. Prandaj, PSD mbështet kërkesën e qendrës ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur’ që lulëkuqja katër-petalëshe të jetë simboli i gjenocidit të kryer gjatë luftës në Kosovë. Katër petalet gjejnë simbolikën e tyre në katër format e identifikuara të akteve gjenocidale; vrasjet, dhunimet seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar në Kosovë”, ka shkruar Molliqaj në “Facebook”.