PSD-ja: Mbështetje për sindikatat, solidaritet për punëtorët
Partia Socialdemokrate mbështet protestën e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, PSD-ja ka theksuar se duhet vlerësuar si zhvillim pozitiv që në Kosovë po tejkalohet tradita real-socialiste e trajtimit të kësaj date.
“Traditë kjo që nën pretendimin e triumfit mbi pushtetin e kapitalit dhe zhdukjen e punës skllavëruese, organizonte festa në formë spektaklesh masive e uniforme.
1 Maji – Dita ndërkombëtare e punëtorëve i gjen punëtorët në Kosovë të shfrytëzuar e të shtypur. Ata janë më të keqpaguarit e më të keqtrajtuarit. Paga minimale është më e ulëta në rajon, sigurimet shëndetësore mungojnë, kurse siguria në punë është nën çdo normë të lejueshme. Shkalla e lartë e papunësisë i ka bërë të papunët armë shantazhi kundër organizimit të punëtorëve. Radha e gjatë e punëtorëve jashtë marrëdhënieve të punës ndikon në vet marrëdhëniet e punës duke displinuar punëtorët. Në anën tjetër, aty ku më se shumti duhet organizimi sindikal, në sektorin privat, në ndërtimtari e shërbime, ai mungon”, është thënë në komunikatën e PSD-së.
“Në Kosovë, dialogu trepalësh minohet e sabotohet vazhdimisht. Vetë Qeveria e saboton dhe e shpërfillë Këshillin Ekonomiko-Social. Shteti në Kosovë nuk është arbiter që kujdeset për ta paqtuar kontradiktën midis punës e kapitalit, duke qëndruar herë mbi palët, herë midis tyre. Ai shërben, pa pra e pa ekuivoke. Është në anën e tyre. Punëtorët e kanë njëri-tjetrin, bashkimin-solidaritetin”, është thënë në komunikatën e PSD-së.
/Epoka e re/