PSD-ja më 24 dhjetor proteston pas dënimit të Salih Mustafës nga Specialja
Partia Socialdemokrate do të organizojë protestë të shtunën më 24 dhjetor, pas dënimit të Sali Mustafës nga Gjykata Speciale me 26 vjet heqje lirie.
Në konferencë për medie, Molliqaj ka thënë se kjo protestë është e domosdoshme, pasi në Hagë po tentohet të shtrembërohet historia.
Ai tha se do të kërkojnë edhe amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Fjalimi i plotë i Molliqajt:
Të shtunën protestojmë, nën sloganin “Jo në emrin tim!”
Të premten e javës së kaluar, Dhomat e Specializuara shqiptuan dënim ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa. Vendimi ishte jashtëzakonisht shqetësues dhe alarmues. Ligji nën të cilin po operojnë Dhomat e Specializuara nuk përkon me frymën universale të të drejtave të njeriut e në disa raste, tashmë të dokumentuara nga raportime të ndryshme, së fundmi edhe nga Avokati i Popullit, ka shkelur në mënyrë flagrante ato drejta.
Për neve dy rrugë janë të qarta sesi duhet të veprohet; Së pari, nevojitet urgjentisht të amadamentohet ligji për Dhomat e Specializuara ashtu që nenet më problematike të ndryshohen e kjo gjykatë të shndërrohet në trup gjykues që sjell drejtësi. Kështu siç është, ajo riprodhon padrejtësi në njërën anë dhe shtrembëron historinë e luftës çliruese të UÇK-së në anën tjetër.
Së dyti, vendimet e veprimet e kësaj gjykate, nga arrestimet e krerëve të UÇK-së e gjerë te deklaratat e udhëheqësve të kësaj gjykate, kanë qenë politike. Si të tilla, së bashku me mënyrën sesi u shqiptua dënimi për z.Mustafa, tregojnë qartazi tendencën që kjo gjykatë ka; tjetërsimin e luftës çliruese të UÇK-së. Me bazën ligjore nën të cilën vepron, me tendencën politike që ka, kjo gjykatë nuk mund të sjellë drejtësi për askënd e as nuk mund të flas në emër të popullit të Kosovës.
Gjykatat që sjellin padrejtësi duhet t’i kundërshtojmë fuqishëm sepse ato nuk flasin në emër të popullit të Kosovës. Prandaj ftojmë çdonjërin e çdokënd, që të shtunën, me 24 dhjetor, nga ora 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” të protestojmë një zëri kundës padrejtësisë së Gjykatës Speciale.