PSD-ja me aksion kundër Projektligjit për KPK-në
Partia Socialdemokrate ka drejtuar akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje, pas votimit në parim të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Ky subjekt politik përmes një aksioni ka denoncuar ndryshimet legjislative mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës që u votuan dje në lexim të dytë nga deputetët e pushtetit.
“Me këto ndryshime legjislative, vendimmarrja mbi çështje të rëndësishme të këtij Këshilli (votimi për Kryeprokurorin e Shtetit, Kryeprokurorët e Prokurorive dhe çështjet disiplinore) do jetë e kushtëzuar nga vullneti politik, përkatësisht nga vota e anëtarëve jo-prokurorë të këtij organi. Amandamenti 9 i dorëzuar në lexim të dytë e vulos ndikimin e anëtarëve jo-prokurorë kundrejt atyre që vijnë nga sistemi prokurorial. Mos të harrojmë se këto ndryshime legjislative deri më tani janë ballafaquar me vërejtje serioze, nga Komisioni i Venecias, por edhe nga shoqëria civile. Të gjitha këto vërejtje kanë një emërues të pëbashkët – shqetësimin mbi kontrollin politik të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për fatin tonë të keq, këto shqetësime nga dje, u bënë realitet”, është thënë në reagimin e PSD-së.
Duke theksuar se tash ky Këshill shumë shpejt do jetë nën kontrollin politik të pushtetit të Kurtit.
“Ky cenim kaq serioz i pavarësisë së sistemit prokurorial do zhvillohet vetëm në dëm të të drejtave fundamentale të njeriut, e në shërbim të pushtetit ‘Krejt dhe Drejt’. Sigurisht, organet e sistemit të drejtësisë vuajnë nga shumë probleme e parregullsi, por politizimi i tyre nuk është mënyrë për t’i adresuar këto probleme. Veçanërisht shqetësuese bëhet situata kur flitet për organin e akuzës. Kapja e sistemit prokurorial do t’ia mundësojë pushtetit arrestimet spektakolare dhe damkosjen e njerëzve duke i shpallur fajtor pa vendim meritor të gjykatës Politizimi i organit të akuzës shkon përkundër prezumimit të pafajësisë dhe parimit të legalitetit. Ky fenomen duhet të jetë shqetësim publik, dhe jo thjesht punë e profesionistëve”, është theksuar në reagimin e PSD-së.