PSD-ja: Paga minimale po i lë punëtorët në pragun e varfërisë
Partia Socialdemokrate (PSD), ka organizuar tryezë për të diskutuar mbi pagën minimale në Kosovë, me ç’rast u theksua se është më e ulëta në rajon dhe se të gjithë ata që paguhen në pagën minimale janë harruar nga shteti dhe shoqëria.
Rritja e pagës minimale sipas kësaj partie, do të ndikonte edhe në rritjen e ekonomisë, pasi do të rriste konsumin.
Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri ka thënë se paga minimale nuk i mbulon as për së afërmi kushtet për jetë dhe se kjo pagë po i lë punëtorët në pragun e varfërisë. “Përcaktimi i pagës minimale duhet të burojë nga një proces gjithëpërfshirës demokratik në mes të partnerëve shoqëror”, u shpreh Ymeri.
Ndërsa, deputetja e PSD-së, Besa Baftiu, foli më shumë se strukturën e të punësuarve në Kosovë.
Sipas saj, kjo është në shpërputhje të plotë me bilancin gjinor sa i për ketë bazës materiale.
Baftiu, ka deklaruar se 80, 7 për qind e grave në Kosovë s’kërkojnë pune fare për shkak të gjasave të vogla për t’u punësuar. “Gratë e punësuara në sektorin privat kryesisht gjenden në dyqane të ndryshme ushqimore, butik, farmaci, rrobaqepësi, ku paga minimale është shumë e ulët, e shumë shpesh gratë punojnë pa kontrata”, u shpreh ajo.
Kurse, ligjëruesi universitar, Artan Mustafa, tha se për të pasur një pagë minimale të duhur, duhet të përcaktohet, siç thotë ai shkalla e pagës minimale bazuar në të ardhurat e familjeve. “Ne kemi rritje të GDP-së, bashkë me rritje të pabarazisë, rritja dhe barazia me të ardhura duhet të shkojnë paralelisht njëra me tjetrën. Ndërsa, Rritja e kohës së fundit është rritje e cilësisë së dobët”, u shpreh Mustaf.