PSD-ja pranon vendimin e Kushtetueses, largon anëtarët nga ekipi negociator
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe bashkëkryesuesi ekipit negociator, Shpend Ahmeti, ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka shpallur Ligjin për kompetencat dhe përgjegjësitë e delegacionit shtetëror si jo kushtetues.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar nga sot se anëtarët e ekipit negociator nga radhët e PSD-së pushojnë të shërbejnë në këtë ekip.
Sipas tij, tani procesi i dialogut kthehet në duart e presidentit dhe kryeministrit, kurse PSD-ja do të vazhdojmë të japim qëndrimet e saj konstruktive përmes grupit parlamentar.
Statusi i plotë i Ahmetit:
Sot Gjykata Kushtetuese ka shpallur Ligjin për kompetencat dhe përgjegjësitë e delegacionit shtetëror në tërësi në shpërputhje me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Partia Socialdemokrate e pranon këtë vendim dhe do të veprojë sipas tij. Rrjedhimisht nga sot anëtarët e Delegacionit shtetëror nga radhët e PSD-së pushojnë të shërbejnë në këtë organ. Ne kemi hyrë në Delegacion me kushtin që delegacioni të ketë kompetenca. Meqenëse ato nuk janë më, atëherë qëndrimi ynë në delegacion është pa kurrfarë rëndësie ligjore.
Partia Socialdemokrate, vitin e kaluar ka marr iniciativën për të kthyer procesin e vendimmarrjes në lidhje me dialogun me Serbinë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një republikë parlamentare, dhe për një interes shtetëror e konsideronim të domosdoshme që procesi të ndërtohet me një unifikim të partive politike për të harmonizuar qëndrimet dhe për të mbrojtur interesat e shtetit tonë në një proces përfundimtar të dialogut Kosovë – Serbi.
Po ashtu kërkesa jonë ishte që të hiqet monopoli i presidentit Thaçi mbi dialogun dhe vendimmarrja të shpërndahej në institucionin më të lartë ligjvënës në vend.
Kërkesa jonë që kjo të bëhet me 2/3 e votave të Kuvendit u bojkotua nga partitë tjera opozitare. Megjithatë delegacioni u krijua me rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Duke mos pasur besim te implementimi i rezolutës kërkesa jonë e vetme dhe kryesore ishte definimi i kompetencave të delegacionit shtetëror me Ligj, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohej autoriteti i Delegacionit si institucion i vetëm që mund të negociojë marrëveshjen me Serbinë. Kësisoj, do të parandaloheshin autorizimet dhe takimet e fshehta të individëve dhe do të pamundësohej një marrëveshje e shpejtë.
Fatkeqësisht, tentimin tonë për të ja dhënë kompetencat dhe fuqinë vendimmarrëse Kuvendit e sfiduan dy partitë tjera opozitare LDK dhe VV.
Që nesër ne do t’i dorëzojmë dorëheqjet nga Delegacioni në Kuvend. Ne edhe më tutje besojmë se dialogu me Serbinë është procesi më i rëndësishëm politik sot në Kosovë dhe për të nevojitet koncesus dhe vendimmarrje në Kuvend. Përndryshe, pas sfidimit të LDK-së dhe VV-së ky proces tani kthehet në duart e Presidentit dhe Kryeministrit. Do të vazhdojmë të japim qëndrimet tona konstruktive përmes.
/Epoka e re/