PSD-ja: Premtimi për një statut të Asociacionit që i ngjanë atij të FES-it është premtim për autonomi
Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar pas lajmit se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert (FES).
Në reagimin e PSD-së është thënë se letra e ministres të Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla dërguar Byrosë së KIE-së është letër zyrtare dhe duhet trajtuar seriozisht.
“Premtimi për një statut që i ngjanë atij të FES-it, është premtim për autonomi. Ky draft ishte refuzuar nga LV-ja më 30 janar 2023. Tutje, kjo letër e nxjerr Asociacionin nga pakoja e marrëveshjes bazike. Aq shumë ishte trumbetuar kjo gjë në publik si një pikë që s’kalohet, për t’u kaluar si një lëvizje e vogël taktike. Kjo tregon për llojet e marrëdhënieve që kultivon Kurti”, është thënë në reagimin e PSD-së.
Më tutje, PSD-ja ka theksuar se “me këdo, qoftë qytetarë ose ndërkombëtar, Kurtit kurrë nuk i besohet. Fjala është taktikë lufte. Kështu, e vetmja marrëdhënie me të është ajo instrumentale. Kjo në fakt nuk është marrëdhënie, është mohim i tjetrit”.