PSD-ja: Propozim rezoluta e Qeverisë për dialogun, e mangët
Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka bërë me dije se kjo parti nuk e përkrah propozim rezolutën për dialog të iniciuar nga koalicioni qeverisës.
Sipas PSD-së, ky propozim është i mangët dhe nuk dallon nga qëndrimi i mëhershëm i qeverisë për dialogun.
“Propozim-rezoluta e djeshme e Qeverisë nuk dallon fare nga qëndrimi i mëhershëm i saj rreth Dialogut. Kjo është për keqardhje. Rrjedhimisht, nuk e mbështesim. Tash e sa kohë, Partia Socialdemokrate përpiqet të ofrojë rrugëdalje nga paraliza politike karshi procesit të Dialogut. Për këtë arsye e ka deponuar propozim-rezolutën e vet, dy muaj më herët. Rezoluta e PSD është më funksionale, më gjithëpërfshirëse dhe përqendrohet në procesin demokratik të ndërtimit të Platformës Negociatore, të përzgjedhjes së Ekipit Negociator dhe të Mbikëqyrjes Parlamentare të mbarë procesit”, ka shkruar Kuçi në llogarinë “Facebook”.
/Epoka e re/