PSD-ja tallet me Bislimin: Kosova ka një zbulues epokal të ekonomisë
Partia Socialdemokrate e Kosovës, pas futjes në “karantinë” të Qeverisë së Kosovës në fillim të kësaj jave, sot organizoi një tjetër aktivitet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë lidhur me deklaratën e ministrit në detyrë të Financave, Besnik Bislimi.
PSD-ja, në aktivitetin që organizoi sot, ka ironizuar me deklaratën e ministrit Bislimi, i cili pak ditë më parë ka thënë se gjatë periudhës së fundit, nëpërmjet aplikimeve për Pakon Emergjente, është rritur numri i punëtorëve e që, sipas tij, ka rënë shkalla e papunësisë si kurrë më parë në Kosovë.
Zyrtarja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë para mediave se Kosova tash ka “një zbulues epokal të ekonomisë” dhe se çmimi Nobel “tash do ta mbajë emrin çmimi Besnik Bislimi për Ekonomi”.
“Çka po dallon ky ministër me të kaluarit, është se ky po numëron vetëm punëtorët me kontrata. Po i shtinë në formulë dhe po e ul papunësinë, duke i futur punëtorët që veçse kanë ekzistuar”, ka thënë Kuçi.
(B. D.: ‘Epoka e re’)