PSD-ja: Të zbardhet marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë-Beograd
Partia Socialdemokrate (PSD) ka kërkuar që të zbardhet marrëveshja për linjën ajrore në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo parti nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë me dije se marrëveshja në fjalë është përcjellë me një mungesë shqetësuese të informative bazë.
“Marrëveshja u përcoll me një mungesë shqetësuese të informatave bazë. Opinioni u privua nga mundësia për ta kuptuar përmbajtjen e marrëveshjes. Çfarë kanë nënshkruar autoritetet e Aviacionit Civil të Kosovës dje? Asnjë detaj nuk dihet. Krejt çfarë na u tha është hapja e linjës ajrore Prishtinë- Beograd. Në emër të Kosovës, marrëveshja është nënshkruar nga Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, përderisa Serbia përfaqësohej nga sekretari i Ministrisë së Ekonomisë. Ndërkaq, kompania që do ta marrë përsipër linjën mësuam se është ‘Lufthansa’. Cili është implikimi politik i përfaqësimit të ndryshëm të palëve që nuk janë homologe? Pse Kosova përfaqësohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil kurse Serbia prej Ministrisë së Ekonomisë? Pyetja që nuk mund të mos shtrohet është po ashtu baza juridike e marrëveshjes”, është thënë në komunikatën e PSD-së.
Më tutje, partia që drejtohet nga Dardan Molliqaj, ka theksuar se kjo marrëveshje nuk është rruga e duhur për raportet Kosovë – Serbi.
“Çfarë mund të themi me siguri është që kjo marrëveshje nuk është rruga e duhur sa i përket raporteve Kosovë- Serbi. Marrëveshja i ngjan marrëveshjeve teknike të dialogut të Brukselit. Ka disa vite ç’prej se jemi pajtuar që logjika e dialogut dhe marrëveshjeve teknike të Brukselit ka dështuar. Të gjithë e dimë që mosmarrëveshja jonë është politike dhe vetëm kështu zgjidhet. Pra, kryegjëja është njohja reciproke midis dy shteteve. Kjo pastaj është perspektiva që e shtron terrenin për rregullimin e marrëdhënieve në secilën fushë. Marrëveshja e nënshkruar dje është pasojë direkte e papërgjegjësisë së klasës politike karshi dialogut. Rëndësia e një marrëveshjeje me Serbinë ku do të kemi njohje reciproke tejkalon interesat partikulare të luftës së brendshme për pushtet”.
“Marrëveshje të kësaj natyre nuk duhet të nënshkruhen në fshehtësi nga opinioni publik. Prandaj, kërkojmë me urgjencë që marrëveshja e nënshkruar dje të publikohet sa më parë nga autoritetet përkatëse dhe të sqarohen të gjitha detajet lidhur me të”, është thënë në këtë komunikatë.
/Epoka e re/